Foto: Facebook/ Komuna e Ferizajt
Ferizaj kërkon nga qytetarët të shmangin vizitat për rastet jo urgjente në komunë
Komuna e Ferizajt ka bërë reduktimin esencial të stafit nëpër departamente si pasojë e rrezikut nga coronavirusi.
Kjo sipas komunës është bërë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, përkatësisht shëndetit të qytetarëve që frekuentojnë e kërkojnë shërbimet komunale.
Megjithatë sipas njoftimit, po vijojnë të ofrohen e përmbushen kërkesat e qytetarëve, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me dokumentacionet civile.
“Kërkojmë nga qytetarët që të shmangin vizitat e kërkesat jourgjente pranë administratës komunale, në dobi të mbrojtjes së shëndetit të tyre nga ekspozimi evenual ndaj rrezikut të virusit COVID-19”, thuhet në njoftim.
Në Kosovë tashmë janë identifikuar 13 të infektuar me këtë virus që vijnë nga komuna e Malishevës, Vitisë, Klinës dhe Podujevës.
Këto katër komuna janë izoluar.
Coronavirusi tashmë ka prekur më shumë se 168 mijë njerëz në botë dhe mbi 6 mijë e 500 persona kanë vdekur.