Ilustrim

Ferizaj, arrestohet personi që tentoi të hyjë me dhunë në banesën e ish-bashkëshortes

Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili me dhunë kishte tentuar të hynte në shtëpinë e ish-bashkëshortes, të cilës i kishte shkaktuar edhe lëndime trupore.

Sipas policisë rasti ka ndodhur sot rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Ferizaj.

“Në lidhje me këtë, policët hetues të Njësisë së Dhunës në Familje menjëherë i kanë marrë veprimet e nevojshme, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin G.SH (M/K) i moshës 25 vjeçar, i cili duke tentuar të futet me dhunë në banesën e ish- bashkëshortes së tij SH.R ( F/K) e moshës 23 vjeçare,  i kishte shkaktuar lëndime trupore. Viktima për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj” – thuhet në njoftimin e policisë.

Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Dhunë në familje dhe lëndim trupor”.