Fëmijët e prekur nga Omicron, shfaqet simptoma e pazakontë

Një simptomë e pazakontë e Omicron po shfaqet tek fëmijët, paralajmërojnë mjekët britanikë që janë ndeshur me raste të tilla.

Të miturit sipas tyre, kanë shumë skuqje pas infektimit me variantin e ri të koronavirusit. Dr. David Lloyd tha gati 15% e fëmijëve të infektuar nga Omicron kishin njolla në fytyrë e në trup. Ata gjithashtu vuanin nga lodhja, dhimbja e kokës e humbja e oreksit– që duket se përshtatet me variantet më të zakonshme të simptomave të raportuara deri më tani tek të rriturit, raporton Top Channel.

Eksperti tha për Sky News se ndryshimi në simptoma ishte “mjaft i rëndësishëm”, së bashku me skuqjen. “Ne kemi pasur gjithmonë një grup të vogël pacientësh me COVID-19 që kishin skuqje, por deri në 15 për qind e fëmijëve që janë prekur me Omicron po shfaqin skuqje të pazakonta”. “Kështu që ne po fillojmë të mësojmë pak më shumë rreth virusit dhe po fillojmë të kujdesemi për të”, u shpreh mjeku.

Më herët, të tjerë specialistë kishin paralajmëruar se njerëzit po kërkojnë simptoma të gabuara. Tre shenjat kryesore të Covid 19 janë kolla e vazhdueshme, temperatura të larta dhe humbje të shijes dhe nuhatjes.