Faton Bislimit nuk iu pranua kandidatura për kryetar të LDK-së

Anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nuk i është pranuar kandidimi për kryetar të partisë, në Kuvendin e 10-të zgjedhor që po mbahet sot në Prishtinë.

Burime brenda LDK-së kanë konfirmuar për KALLXO.com, se Bislimi nuk është delegat në Kuvendin e sotëm zgjedhor, njëri prej kushteve ky për të qenë kandidat. Burimet tutje kanë konfirmuar se Faton Bislimi nuk ka hyrë në procesin zgjedhor në degën në Gjilan, pasi një kriter i tillë përcaktohet me rregulloren e Kuvendit.

Kuvendi zgjedhor i LDK-së sapo ka zgjedhur kryetar të partisë, Lumir Abdixhikun, për një mandat 4-vjeçar.

Gjatë punimeve, Besian Mustafa nga LDK-ja tha se propozimi për kandidaturën e Faton Bislimit bie ndesh me rregullorën e sapo miratuar të Kuvendit zgjedhor.

“Po e citoj rregulloren, ‘kryetari i LDK-së zgjedhet nga përbërja e delegatëve të Kuvendit dhe kandidimi bëhet në Kuvend’, prandaj Komisioni kandidues vlerëson se ky propozim bie ndesh me rregulloren e punës të sapo miratuar në Kuvend”- tha ai paraprakisht.

Paraprakisht, në fillim të punimeve të Kuvendit zgjedhor, ndonëse kërkoi të flasë, Faton Bislimit nuk iu dha fjala nga ana e anëtarëve.

Paraprakisht në lidhje me draft-rregulloren e punës së Kuvendit, delegati Shkëmb Manaj tha se njëra nga pikat “tregon qartë” që kryetari i LDK-së zgjidhet nga delegatët e zgjedhur të LDK-së dhe se duhet të jetë delegat i zgjedhur.

“Kjo është në pajtim të plotë me statutin e LDK, në asnjë rrethanë kjo normë nuk e kufizon të drejtën që anëtarët të zgjedhen dhe të jenë të zgjedhur, por norma e statutit nënkupton që secili anëtar që don të zgjidhet ai duhet të fillojë procesin nga struktuta bazë e LDK-së që është nëndega. Kryetari i LDK-së zgjedhet në pajtim me Kushtetutën, statutin dhe rregulloren, duhet të jetë delegat i zgjedhur”- tha ai.Pas këtij fjalimi, Faton Bislimi iu afrua zyrtarëve të LDK-së për të marrë fjalën, mirëpo nuk arriti.

Teksa ai qëndronte përballë, Kujtim Shala tha “A dëshiron dikush tjetër të marrë fjalën nga përbërja e Kuvendit. A dështiron dhe dikush tjetër? Nëse jo pyes anëtarët kush është për për këtë draft-rregullore të Kuvendit?” – për t’u proceduar më pas votimi e për tu miratuar rregullorja e punës.

Bislimi është larguar më pas.