FAMU hap aplikimin për programin për montazh 

Shkolla e filmit dhe televizionit e Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë, FAMU, sivjet ka ofruar raundin e dytë të programit të masterit për montazh.  

Qendra Kinematografike e Kosovës inkurajon të gjithë të interesuarit e fushës së filmit, shtetas të Kosovës të aplikojnë. Afati i fundit për aplikim është 24 korrik, 2020.  

QKK-ja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ky është viti i gjashtë me radhë që qendra mundëson financimin e shkollës së filmit dhe televizionit në Pragë – FAMU. 

FAMU është themeluar me dekret presidencial në vitin 1945 dhe ofron programe të akredituara dhe të certifikuara të studimit si në gjuhën çeke ashtu edhe në atë angleze. 

“Memorandumi i lidhur mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, ofron mundësinë e edukimit audio-vizuel për qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë Akademi. Bursa vlen vetëm për shtetas të Republikës së Kosovës me vendbanim të përhershëm në Kosovë”, thuhet në njoftimin e QKK-së. 

Kushtet për regjistrim në shkollën e filmit FAMU përcaktohen nga shkolla e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura me seli në Pragë, të cilët gjithashtu bëjnë edhe intervistimin dhe përzgjedhjen. 

 Linku për aplikim në pogramin e montazhështtps://international.famu.cz/programs/masters-degree-in-editing