Arrihet marrëveshja për shfaqjen e filmit ‘Zgjoi’ në kinematë botërore

Filmi “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit ka arritur marrëveshje për tu shfaqur në rrjetet më të njohura të kinemave në shumë vendet të botës.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se filmi “Zgjoi”, përmes distributorit LevelK, ka bërë marrëveshje distribuimi me Kino “Lorber & Zeitgeist Film” për Amerikën Veriore; “Altitude” për Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë; dhe “Icon” për Australi dhe Zelandë të Re.

“Filmi poashtu ka bërë marrëveshje për Kinë me ‘Hugoeast Holding’, për Skandinavi me ‘Edge Entertainment’, Portugali me ‘Films4you’, Republikën Çeke me ‘HBO Central Europe’, Bosnje & Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Serbi, dhe Slloveni me ‘Kino Meditaran’, Turqi me ‘Filmarti’, dhe Greqi me ‘Cinobo’”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Filmi “Zgjoi” ka fituar tri çmimet kryesore në festivalin e filmit në Sundance në SHBA.

“Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes.

Në film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Ky është prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV.