Eurodeputetja Cramon: Kosova i ka plotësuar kriteret teknike për vizat, jemi katër vite me vonesë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se Bashkimi Evropian është katër vite vonesë për t’ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave.

Në një konferencë për media të mbajtur në Mitrovicë, eurodeputetja Cramon ka thënë se është “mbrojtësja më e madhe e liberalizimit të vizave”.

“Gjithmonë e kam dritën jeshile, shpresoj që ne do të shohim lehtësimin e këtij procesi dhe hapjen pas zgjedhjeve në Francë, nuk është krejt te Parlamenti Evropian, ne e kemi konfirmuar që Kosova i ka plotësuar kërkesat teknike, jemi katër vite në vonesë. E di që shumica e shteteve kryesore e mbështesin këtë, por na duhet një mbështetje unanime”, tha ajo.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Katër vjet më parë, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.