Escobar: Asociacioni të krijohet në mënyrë që të jetë fitore për të dyja palët

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.

Ai ka thënë se Asociacioni duhet të formohet në atë mënyrë që të jetë një fitore për të dyja palët, që t’u ndihmojë të dyja palët të gjejnë kanale bashkëpunimi për t’u shërbyer sa më mirë njerëzve.

“Qëndrimi ynë është se kjo [marrëveshje] është ndërkombëtare ligjërisht e detyrueshme që duhet zbatuar. Kjo kërkesë figuron në Marrëveshjen e Brukselit. Ka pritshmëri që të formohet. Ai duhet të krijohet në atë mënyrë që të jetë një fitore për të dyja palët, që t’i ndihmojë të dyja palët të gjejnë kanale bashkëpunimi për t’i shërbyer sa më mirë popullatës që ka dyshtetësi, të Kosovës dhe Serbisë. Pra, është plotësisht pritshmëria jonë që ai të zbatohet”- tha Escobar në një bashkëbisedim me gazetarë.

I pyetur nëse Kosova ka afate për formim të Asociacionit, Escobar ka thënë se pyetja është se sa shpejt do të formohet.

“Është një detyrim, është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, pjesë e kësaj marrëveshjeje bazë. Ky është një realitet, një fakt objektiv që është ajo që kërkohet që Kosova të ecë përpara në procesin e saj të integrimit evropian. Çështja është se sa shpejt Qeveria e Kosovës do ta pranojë këtë obligim. Jam i bindur se me marrëveshjen që kemi pasur dje ka një mirëkuptim nga ana e Kosovës që duhet bërë. Nuk dua të vendos afate dhe specifika se çfarë është për një proces të lehtësuar nga BE-ja dhe një proces të brendshëm, por diskutimi i zbatimit duhet të fillojë menjëherë”- ka theksuar ai.

Në lidhje me Kishën Ortodokse në Kosovë, Escobar ka thënë se ka diskutime për të.

“Sa i përket Kishës Ortodokse Serbe ka disa diskutime për të. Dhe në këtë marrëveshje, palët mund të presin një konsideratë si evropiane për grupet minoritare dhe kishën në aspektin e angazhimit të vazhdueshëm për dialogun. BE dhe SHBA do të vazhdojnë të jenë prezente në rajon derisa të bëhen pjesë e BE-së”- është shprehur emisari amerikan.

Mbrëmë pas më shumë se 7 muajsh diskutime, Bashkimi Evropian vendosi ta publikojë planin e tij për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, i njohur si Plani franko-gjerman.