Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hoxhaj premton studime falas në universitetet publike

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, gjatë ditës së sotme është takuar me të rinjtë e PDK-së, me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Rinisë Demokratike të Kosovës.

Në këtë takim me të rinjtë, Hoxhaj ka prezantuar planin e rimëkëmbjes.

Ai ka premtuar se nën qeverisjen e PDK-së të rinjtë që studiojnë në universitetet publike do t’i kenë studimet falas.

“Për të gjithë ata që studiojnë në universitete publike e kemi ulur pagesën në të kaluarën shumë, por tash pagesa për semestër në universitete publike do të jetë zero. Së dyti, do t’i ofrojmë çdo studenti Kartën e Studentëve dhe 50 përqind e kësaj karte do të financohet nga qeveria e vendit”.

Ai ka premtuar edhe një grant prej 15 milionë eurove për të rijntë që të krijojnë ndërmarrje të reja.

“Së treti, do të ofrojmë një grant prej 15 milionë eurosh i cili grant do të ofrojë mundësi që të rinjtë dhe të krijojnë ndërmarrje të vogla, ndërmarrje te mesme në fushën e teknologjisë, në fushën e dizajnit dhe në fusha të tjera të ndryshme që ata të krijojnë vende të reja të punës dhe ta punësojnë vetën dhe të tjerët”, ka thënë ai.