Enver Hasani - Foto; REL

Enver Hasani reagon pas akuzave të Behgjet Pacollit

Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, reagoi ndaj akuzave që më herët ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, e drejtoi në adresë të tij.

Pacolli drejtoi një sërë akuzash ndaj Hasanit, duke iu referuar vazhdimisht atij si “hajn-uz” ndërsa e quan “fabrikues diplomash dhe doktorësh të rrejshëm”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Hasani ka reaguar pas akuzave dhe gjuhës së përdorur nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Ai ka thënë se përdorimi i fjalëve nga ana e Pacollit e vërteton atë se ai është “një rrugaç dhe një analfabet”.

“Unë e lexova postimin e z.  Behxhetit, ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës. Më erdhi keq për Kosovën e shkretë kur lexova shkrimin e tij. Ai nivel shkrimi dhe mendimi i shprehur në te vetëm sa vërteton katërcipërisht se fjala është për një rrugaç ordiner dhe për një analfabet strukturor, që ka mund të ngjitet në shkallët e shërbimit të jashtëm vetëm në një vend në tranzicion siç është Kosova”, ka deklaruar Hasani.

“Unë nuk mund të komentoj asgjë sepse struktura e mendimit dhe e shprehjeve aty janë tërësisht nën çdo nivel të njeriut mesatar në Ballkan”, ka thënë në fund Enver Hasani, ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Hasani ditë më parë në një intervistë për KosovaPress kishte thënë se Behgjet Pacolli nuk është dashur të lihet në krye të ministrisë së Jashtme.

“Në rend të parë të prejardhjes së tij socio-kulturore, biznesore dhe nivelit katastrofal intelektual ose mendor dhe për shkak të këtyre dy gjanave kjo ka është e pafalshme. Sepse ai shërbim është më i ndjeshëm sepse vijnë informata të dorës së parë sekrete, tash imagjinoni njerëz që kanë bërë biznes për një kohë të gjatë me rusë a zëmë, me vendet që janë armike të Kosovës, dhe këtu është problemi. Pastaj, niveli, ajo me Bërnabiqin, ose me presidentin amerikan sjelljet d.m.th sjelljet rrugaçërie, ordiner kur i shohim jo të ministrit të Jashtëm, kjo është e pafalshme për PDK-në dhe koalicionin që ka pranu”, kishte thënë Hasani.