Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli

Ministri i jashtëm ‘shpërthen’ me akuza ndaj ish- kryetarit të Kushtetueses

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shpërthyer me akuza ndaj ish- kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani.

“Ky postim permban pergjigjen time për njëfar Hajn-uzi, e juve, miqve të mi ju kërkoj ndjesë. Ti Hajn-uz, Enver, Hysen, Hasan apo si e ke emrin, mund lirisht të jetosh 3000 vjet, por kurrë nuk do ta arrish atë që kam arritur unë, në jetën time normale si në aspektin human ashtu dhe në atë profesional”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Në këtë postim, Pacolli vazhdimisht i referohet Hasanit si “hajn-uz” ndërsa e quan “fabrikues diplomadh dhe doktorësh të rrejshëm”.

Ai ka vazhduar tutje në postimim duke ja përmendur Hasanit edhe pretendimet për abuzimet dhe dhunimet me studentë.

KALLXO.com ka kontaktuar ish- rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasanin, për ta pyetur në lidhje me akuzat që ndaj i tij i ka bërë Behgjet Pacolli.

“E ka dëshmuar atë që kam thënë, pra është një rrugaq. Është rrugaq dhe këtë e ka dëshmuar edhe me Bërnabiq edhe me Clintonin. Duhet me thënë konkretisht, me folë me emra sepse unë kam punuar mbi 20 vite si profesor”, ka thënë shkurt ai duke mos dashur të komentojë më shumë deklarimet e Pacollit.

Hasani ditë më parë në një intervistë për KosovaPress kishte thënë se Behgjet Pacolli nuk është dashur të lihet në krye të ministrisë së Jashtme.

“Në rend të parë të prejardhjes së tij socio-kulturore, biznesore dhe nivelit katastrofal intelektual ose mendor dhe për shkak të këtyre dy gjanave kjo ka është e pafalshme. Sepse ai shërbim është më i ndjeshëm sepse vijnë informata të dorës së parë sekrete, tash imagjinoni njerëz që kanë bërë biznes për një kohë të gjatë me rusë a zëmë, me vendet që janë armike të Kosovës, dhe këtu është problemi. Pastaj, niveli, ajo me Bërnabiqin, ose me presidentin amerikan sjelljet d.m.th sjelljet rrugaçërie, ordiner kur i shohim jo të ministrit të Jashtëm, kjo është e pafalshme për PDK-në dhe koalicionin që ka pranu”, kishte thënë Hasani.