Emira Murati: Në Kosovë mungon edukimi mbi vetëtestimin për kancer të gjirit
Emira Murati, organizatore e festivalit “Shliroj cicat”, ka folur në emisionin “Kallxo Përnime” për rëndësinë e edukimit për vetëtestimin për kancer të gjirit.
Murati ka thënë se në Kosovë edukimi për vetëtestimin nuk aplikohet.
“Edukimi për vetëtestimin jashtëzakonisht mungon, krejt çka bëjnë institucionet tona është një animacion që e qesin në televizionin publik dhe tregojnë mënyrën qysh duhet me u testu, dhe ajo nuk ta tërheq vëmendjen aspak”- ka thënë ajo.
Ajo ka folur edhe për themelimin e organizatës “Cicat”, qëllimi i së cilës është vetëdijesimi për kancerin e gjirit.
“Shliroj cicat” është nismë me dy qëllime. E para është marketingu që ne e bëjmë për vetëdijesimin dhe ngritjen e fondeve dhe një lloj proteste për institucionet për të bërë më. Dhe e dyta është që kjo stigma që patjetër gruaja duhet me pasë një cenzurë para thithkave sepse dikush mundet me u provoku, nuk është marre” – ka thënë ajo.
Murati ka thënë se marrin kritika nga moshat e vjetra lidhur më aktivitetet e tyre.
Ajo thotë se target i kësaj nisme janë personat e moshës së re.
“Kritikohemi prej moshave më të vjetra, por nuk është problem sepse ne target e kemi rininë. Dhe kur ata informohen në këtë pjesë ata domosdoshmërisht kanë më përçu mesazhin në familjet e tyre dhe kanë me bisedu në një tavolinë bashkë për këtë temë” – ka thënë tutje Murati.
Muaji tetor, ndryshe i quajtur muaji rozë, është muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, bashkë me anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi, kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë.
Haxhiu lavdëroi personelin shëndetësor të kësaj Klinike por theksoi mungesën e barnave për terapi onkologjike.
“Ndonëse përkushtimi i personelit shëndetësor është maksimal, shqetësuese mbetet mungesa e barnave për terapi onkologjike, ku furnizimi nga barnat e Listës Esenciale këtë vit ka rënë nën 70% , përderisa vitet e kaluara furnizimi me barna në Onkologji ishte rreth 90%” – shkroi ai në Facebook.
Haxhiu tha se është rritur edhe lista e pritjes për radioterapi dhe barhiterapi për shkak të problemeve që janë shkaktuar në Klinikën e Onkologjisë.
“Për shkak të problemeve që janë shkaktuar këtë vit në Klinikën e Onkologjisë është rritur lista e pritjes për Radioterapi dhe Barhiterapi. Problem shqetësues sipas drejtuesve të klinikës është mungesa e stafit. Aparaturat mjekësore ekzistojnë, por ka raste kur nuk ka kush të punojë me to, prandaj shumë herë transferohet stafi nga klinikat tjera për t’iu ofruar shërbime pacientëve”- theksoi deputeti Haxhiu.