Si shenjë vetëdijesimi artistja e re i vendos maskë grafitit para Qeverisë

Artistët e “Mural Fest” para disa muajsh kishin pikturuar qoshet e zymta të Prishtinës.

Artistja Ermira Murati e cila kishte pikturuar grafitin “Britma” (The Scream) të piktorit Edvard Munch në transformatorin elektrik para Qeverisë si shenjë revolte, para dy ditësh ka vendosur një maskë si shenjë vetëdijesimi.

Instalacioni në grafitin “The Scream” nga Ermira Murati; Fotografi Ermira Murati

Murati për KALLXO.com tha se në fillim e kishte pikturuar për të përcjellur mesazh politik, për shkak të ndërrimit të Qeverisë në pandemi, tash ideja e saj ka qenë që të vetëdijesoj njerëzit për vendosjen e maskave.

“Kësaj radhe, me vendosjen obligative të maskës dhe dënimet për mosmbajtjen e saj, mendova të jap kontributin tim në një lloj vetëdijsimi rreth kësaj çështje”, tha Murati.

Ajo tha se habia e “Britmës” me Qeverinë vazhdon të jetë akoma, vetëm se kësaj radhe ajo është e çuditur edhe me njerëzit.

“Nëse je pa maskë dhe kalon rreth një personazhi të një pikture me të, ajo duket e quditur me ju që nuk e keni vendosur maskën. Andaj mos u çudituni kur e shihni një pikturë duke ju “përqeshur” me britma se ju po rrezikoni veten dhe të tjerët!”, tha Murati.

Studentja e Fakultetit të Arteve, tha se ka menduar që ditëve në vijim edhe në pikturat e tjera të cilat janë me fytyra të bëjë këtë instalacion.

Instalacioni në grafitin “The Scream” nga Ermira Murati; Fotografia:Ermira Murati

“Nëse gjej ndonjë mbështetje të realizoj edhe të tjera piktura të famshme të cilave mundem t’u vendos një”, tha artistja.

Në muajin qershor artistët e ri të “MuralFest” kishin intervenuar në transformatorë elektrikë, shporta mbeturinash, mure të shkatërruara në pjesë të ndryshme të Prishtinës duke i zdritur me punime të piktorëve të famshëm botëror apo edhe krijime personale.

Valë muralesh dekorojnë qendrën e Prishtinës