Piktura e Ermira Muratit shpërfaq intimitetin midis rapsodëve shqiptarë
Me duart krahë njëri-tjetrit, shputat e buzët e bashkuara dhe në bel shokën shqiptare me ngjyra të komunitetit LGBTI, piktorja Ermira Murati ka pikturuar rapsodët shqiptarë në një marrëdhënie homoseksuale.
“Kjo vepër, jo-domosdoshmërisht sygjeron se “të gjithë shqiptarët kishin bindje të tilla seksuale”, përkundrazi, tregon se “bindjet e tilla seksuale dhe dashuria për gjininë e njëjta ka ekzistuar edhe në të kaluarën tonë””, ka thënë Murati për KALLXO.com.
Përmes kësaj pikture, në Ditën e Paradës së Krenarisë, Murati ka tentuar të tregojë që dashuria mes seksit të njëjtë ka ekzistuar edhe në të kaluarën dhe nuk është risi.
“Duke u nisur prej disa frazave në këngë popullore, nga shumë rapsodë të mirënjohur nga populli shqiptar në këngët e të cilëve mund të vërehen fraza që shprehin bindjet seksuale të tyre, e që reflektojnë në ekzistimin e tyre në atë kohë”, shprehet ajo.
Sipas Muratit, kjo temë nuk është trajtuar ose është trajtuar fare pak dhe nuk ka shumë njohuri për të nga qytetarët.
Piktorja ka vendosur ta shfrytëzojë fuqinë e saj prej artistes që t’i japë dritë kësaj teme.
“Arti si formë e shprehjes na jep mundësi që të shprehim jo vetëm bindjet tona por edhe ato të të tjerëve, detyra ime si artiste shpeshherë është të krijojë çfarë duhet të krijohet, jo gjithmonë atë se çfarë dua”, tha ajo.
Megjithatë, Murati thotë se pas publikimit të kësaj pikture është përballur me reagime me komente negative. Por, ajo thotë se ishte e gatshme të marrë përsipër përgjegjesinë e fjalëve të këqija për hir të mesazhit.
“Pritja nga publiku mund të shpjegohet më së miri me anë të këtyre shifrave: për rreth 3 orë pas shpërndarjes së projektit nga tre portale vendore, janë mbledhur më shumë se 1 mijë komente së bashku, me minimum prej tyre pozitive”, tregoi ajo.
Dhe si pasojë e kësaj situate, artistja është detyruar t’i ndalojë komentimet dhe mesazhet në rrjetet e saj sociale sepse sipas saj numri i tyre ishte enorm dhe aspak të mirë për t’u parë.
“Është e ditur që prekja e temave të tilla tabu gjithnjë ngjall reagime të tilla e nuk jam aspak e mërzitur për to”, tha piktorja.
Ajo thotë se qëllimi i saj i vetëm ishte ofrimi i vizibilitetit mbi këtë temë.
Sot për të pestën herë me radhë është mbajtur Parada e Krenarisë në Prishtinë.
Rapsodët shqiptarë; Fotografi: Piktorja Ermira Murati në Facebook
Rapsodët shqiptarë; Fotografi: Piktorja Ermira Murati në Facebook