Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Elezi: Në zgjedhjet e ardhshme mediat do të lejohen ta vëzhgojnë numërimin e votave

Në proceset e ardhshme zgjedhore në Kosovë, numërimi i fletëvotimeve në vendvotime mund të vëzhgohet nga mediat e akredituara.

Kështu ka njoftuar sot, më 20.03.2024, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Këtë ai e ka quajtur lajm të mirë për mediat dhe transparencën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës.

“Duke filluar nga proceset e ardhshme zgjedhore numërimi i fletëvotimeve në vendvotim mund të vëzhgohet nga mediat e akredituara, të cilat lejohen të filmojnë dhe fotografojnë. Transparenca është kyçe për besueshmërinë e qytetarëve në proceset zgjedhore dhe ky është një hap i madh nga KQZ”- ka thënë ai.

Ndërsa ka falënderuar anëtarët e KQZ-së që mbështetën propozimin që kjo të përfshihet si një nen i veçantë në Rregulloren zgjedhore nr. 08/2024.

“Për zbatim më të lehtë, me kohë do të përgatitet edhe Udhëzuesi për Vëzhguesit me sqarime të detajuara”- ka shkruar ai në Facebook.