Eksperti amerikan shpjegon manipulimin nga Rusia të statistikave të luftës në Ukrainë

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës i afrohet përvjetorit të saj të parë, Moska dyshohet gjithnjë e më shumë për manipulim të numrit të të vrarëve, duke zvogëluar humbjet e veta dhe duke ekzagjeruar ato të Ukrainës.

Ministri rus i mbrojtjes tha shtatorin e kaluar se 5937 trupa ruse ishin vrarë në luftë. Në nëntor, zyrtarët amerikanë vlerësuan se “mbi 100,000 ushtarë rusë ishin vrarë dhe plagosur”. Në atë kohë, zyrtarët amerikanë vlerësuan se forcat e armatosura të Ukrainës “mund të kenë” pësuar një numër të ngjashëm viktimash dhe se rreth 40 mijë civilë ukrainas ishin vrarë.

Në shifrat e publikuara nga Rusia figuronte një numër tepër i lartë i vullnetarëve të huaj të vrarë në luftimet në Ukrainë.

Ukraina thotë se më shumë se 20 mijë vullnetarë të huaj nga 52 vende i janë përgjigjur thirrjes së Presidentit Volodymyr Zelenskyy për të ndihmuar në luftën kundër forcave ruse. Shumica e të huajve që luftojnë në Ukrainë po e bëjnë këtë për arsye bindjesh, megjithëse Rusia zakonisht i quan “mercenarë”, një përcaktim që i përjashton ata nga mbrojtja e garantuar në bazë të Konventave të Gjenevës të vitit 1949.

Autori dhe ish-anëtari i forcave speciale të ushtrisë amerikane, “Navy Seal”, Chuck Pfarrer po monitoron nga afër situatën në Ukrainë dhe po mban kontakte me vullnetarë amerikanë dhe të tjerë të huaj në terren. Ai gjithashtu ka ndjekur konfliktin për gazetën Kiev Post.

Zoti Pfarrer është autor i librit “Objektivi Gjeronimo: Historia e Misionit për Vrasjen e Osama Bin Laden-it”, që ka hyrë në listën e librave më të shitur të gazetës Nju Jork Times dhe që vinte në pikëpyetje pjesë të përshkrimit të misionit nga Shtëpia e Bardhë. Libri është cilësuar “fabrikim” nga një zëdhënës i komandës së operacioneve speciale të Shteteve të Bashkuara. Zoti Pfarrer ka mbrojtur versionin e tij dhe thotë se qeveria po mbulonte detajet jo pozitive të misionit.

Zoti Pfarrer i tha Zërit të Amerikës më 3 janar se manipulimi i statistikave të luftës nga Rusia është pjesë e një historie dezinformimi që nga Kremlini për të justifikuar agresionin ushtarak në Ukrainë.

“Putini dëshiron me çdo kusht që qytetarët rusë të mendojnë se Rusia po ‘lufton NATO-n’ në Ukrainë”, tha zoti Pfarrer. “Sa më shumë vrasje të luftëtarëve të huaj që Rusia mund të pretendojë se i ka kryer, aq më lehtë do të jetë për Kremlinin që ta shesë këtë fantazi.”

Intervista është redaktuar për ta bërë atë më të qartë.

Zëri i Amerikës: Që nga fillimi i agresionit frontal në shkurt të vitit të kaluar, Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për humbje të rënda mes trupave ukrainase. A besoni se këto shifra janë të besueshme dhe të verifikueshme, apo ka më shumë gjasa të jenë të rreme dhe të ekzagjeruara?

Chuck Pfarrer: Shifrat e Rusisë janë të dyshimta për disa arsye. Operacionet sulmuese ruse kanë arritur vetëm një sukses të kufizuar në muajt e fundit, me përparime të matura më shpesh me metra sesa me kilometra, veçanërisht në zonat me luftime të ashpra si Bakhmuti. Së pari, raportimet “zyrtare” ruse për viktimat ukrainase dhe ndërkombëtare janë të dyshimta, sepse nëse ato shifra do të ishin të sakta, kjo do të nënkuptonte se Rusia ka kapur pjesë të konsiderueshme të territorit. Së dyti, është pretendimi i Rusisë se ushtarët ukrainas i kanë braktisur të rënët e tyre në fushën e betejës. Së treti, që trupat e gjetur kishin me vete pasaporta ose dokumente të tjera që tregojnë se ishin vullnetarë të huaj.

Por përparimet ruse kanë qenë të vogla dhe Ukraina ka qenë skrupuloze në gjetjen e të rënëve dhe të plagosurve. Prandaj, pretendimet ruse janë shumë të ekzagjeruara.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni se Rusia i ekzagjeron humbjet e Ukrainës dhe a është e mundur të vlerësohet se në çfarë përmasa janë këto manipulime?

Chuck Pfarrer: Presioni ndaj komandës ushtarake ruse për të ekzagjeruar viktimat ukrainase është i madh. Pavarësisht numrit tepër të lartë të të vrarëve rusë dhe humbjes së mijëra tankeve, automjeteve të blinduara, sistemeve të artilerisë dhe qindra avionëve, Rusia nuk është më afër vendosjes nën kontroll të Ukrainës sesa ishte në fillim të “operacionit të saj special ushtarak” në shkurt të vitit të kaluar.

Ukraina ka raportuar se më shumë se 108 mijë e 190 trupa ruse janë vrarë në aksion. Një vlerësim i përafërt i numrit të ushtarëve rusë të plagosur në këtë periudhë është mbi 324 mijë. Duke pasur parasysh se shifra e përgjithshme e të vrarëve dhe të plagosurve të ushtrisë ruse i afrohet gjysmë milionit, Rusia e ka të domosdoshme të raportojë humbje të konsiderueshme mes ukrainasve, por numri i të vdekurve dhe të plagosurve ukrainas është i vogël në krahasim me viktimat ruse.

Katërqind e pesëdhjetë mijë të vrarë dhe të plagosur tingëllon një numër i lartë, por ky vlerësim përforcohet nga mobilizimi me nxitim i mbi 300 mijë meshkujve në fund të vitit 2022. Një mobilizim i dytë është planifikuar të bëhet në dy javët e ardshme. Ai po ashtu parashikon rekrutimin e 300 mijë rusëve në shërbimin ushtarak. Këto mobilizime janë bërë të nevojshme për shkak të viktimave të shumta ruse dhe dështimit taktik në fushën e betejës.

Zëri i Amerikës: Ukraina nuk njofton humbjet e saj ditë për ditë, por herë pas here konfirmon numrin total të viktimave. Sa të sakta janë numrat e tyre?

Chuck Pfarrer: Vërtet Ukraina, si rregull, nuk konfirmon humbjet ditore. Por një vlerësim nga Shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane tha se numri i viktimave të Ukrainës shkon afërsisht 100 në ditë. Duke përdorur një llogaritje standard, “një të vrarë [nga] tre të plagosur”, mund të nxjerrim përfudnimin se ndoshta 30 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe rreth gjashtëdhjetë të tjerë janë plagosur në ditë. Këta numra, natyrisht, mund të ndryshojnë shumë. Pas treqind e katërmbëdhjetë ditësh, mund të vlerësohet se ka mbi 10,000 të vdekur ukrainas dhe [të paktën] 19,000 të plagosur. Ky është një sugjerim, por sigurisht është një vlerësim i përafërt.

Sa i përket statistikave të Ukrainës për humbjet e personelit rus: Burime ushtarake në NATO dhe Ukrainë më kanë thënë se numri aktual i viktimave ruse tejkalon shifrat e dhëna në konferencat për Ukrainën.

Në të vërtetë zbulimi rus nuk ka qenë mjaft i aftë për të identifikuar objektivat ushtarakë ukrainas, si kazermat apo zonat e grumbullimit të trupave. Nga ana tjetër, informacioni i zbulimit të fushëbetejës së Ukrainës ka qenë i shkëlqyer. Informacioni i zbulimit i mbledhur nga njerëzit, sinjalet, ai elektronik dhe imazhet ajrore i mundësojnë Ukrainës të vërë në shënjestër objektivat rusë me vlerë të lartë si zonat e depozitimit të municioneve, elementët e shtabit dhe përqendrimet e trupave ruse në baza ditore. “HIMARS” i lejon ata të godasin thellë pas vijës së kontaktit. Ushtarët dhe forcat e operacioneve speciale ukrainase të futura thellë ofrojnë informacione të përditësuara se ku duhet të përqendrohet sistemi “HIMARS” dhe municionet tjera precize që përdoren nga ukrainasit.

Zëri i Amerikës: Ndërsa ndiqni nga afër ngjarjet që zhvillohen në Ukrainë, ndërsa vendi mbrohet nga agresioni rus, cili është vlerësimi juaj për viktimat mes të huajve që iu bashkuan forcave ukrainase?

Chuck Pfarrer: Mediat sociale, veçanërisht Twitter-i, raportojnë shpejt për vdekjen ose plagosjen e vullnetarëve ndërkombëtarë, shumë më shpesh sesa vdekjet e ushtarëve ukrainas. Shumica e burimeve pajtohen se afërsisht 20,000 vullnetarë të huaj nga 52 vende janë tani pjesë e shërbimit ushtarak ukrainas. Disa qindra trupa shtesë ka të ngjarë të integrohen në njësitë e rregullta ukrainase dhe nuk shërbejnë si anëtarë të Legjioneve Ndërkombëtare.

Janë rreth 270,000 burra dhe gra në shërbim në ushtrinë ukrainase, me rreth 100,000 të tjerë në njësi rezervë. Sipas këtij raporti, vullnetarët ndërkombëtarë përbëjnë vetëm rreth 6% të forcave [ukrainase] dhe një përqindje e konsiderueshme e vullnetarëve ndërkombëtarë nuk shërbejnë në njësitë e vijës së parë, por në cilësi të tjera. Rreth pesë deri në 10 viktima ndërkombëtare vullnetare raportohen në mediat sociale në javë. Viktimat e raportuara kanë tre herë më shumë gjasa të raportohen të plagosur sesa të vrarë.

Pretendimet ruse për qindra vullnetarë të huaj të vrarë çdo ditë janë shumë të larta.

Presidenti Putin dëshiron dëshpërimisht që qytetarët rusë të mendojnë se Rusia po “lufton NATO-n” në Ukrainë. Sa më shumë vdekje “ndërkombëtare” të pretendojë Rusia, aq më e lehtë do të jetë për të që ta shesë këtë fantazi. Në mars, Rusia pretendoi se kishte vrarë 180 “mercenarë të huaj” në një sulm të vetëm në Yavoriv. Në qershor, Rusia pretendoi se 162 kanadezë ishin vrarë deri më sot në Ukrainë. Më herët, gjatë betejës së Mariupolit, Rusia pretendoi në mënyrë alternative se kishte kapur ose vrarë një gjeneral-major të Korpusit të Marinës amerikane. Asnjë nga këto pretendime nuk ishte i vërtetë. VOA