Edhe dy muaj arrest shtëpiak për mjekun nga Vushtrria, i dyshuar për marrje ryshfeti

Gjykata e Mitrovicës ka marrë vendim që t’ia vazhdojë masën e arrestit shtëpiak A.V., mjekut nga Vushtrria, i dyshuar për marrje ryshfeti.

Sipas zëdhënëses së kësaj Gjykate, Hateme Haxhaj, masa e caktuar e arrestit shtëpiak është dy muaj.

“Të pandehurit A.V, masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar edhe për dy muaj, me kerkesë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Të pandehurit masa e vazhduar do t’i llogaritet nga data 27.11.2025 deri më 27.01.2026”- tha Haxhaj.

Ai tanimë ka përfunduar masën e arrestit shtëpiak në afat prej një muaji.

Vendimi i Gjykatës, më 30.10.2025, erdhi pas refuzimit të kërkesës të Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, të pandehurit A. V. kjo masë është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’”- thuhej në njoftim, më 30.10.2025.

KALLXO.com pati sjellë pamje të mjekut duke dalë nga Gjykata.

A.V. është arrestuar nën dyshimin për marrje të ryshfetit, më 28.10.2025.

Prokuroria e Mitrovicës njoftoi se arrestimi i mjekut të dyshuar A. V. u krye në koordinim me Policinë e Kosovës përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas hetimeve disamujore dhe pas zbatimit të masave të veçanta hetimore.

Prokuroria përmes një komunikate për media kishte bërë të ditur se A. V. dyshohet se në këmbim të mjeteve monetare, ka lëshuar vërtetime të ndryshme mjekësore për qytetarët.

Arrestohet një mjek në Vushtrri, dyshohet për marrje ryshfeti