Nezir Shehaj FOTO: BIRN

“E vetmja alternativë”, të rinj e të moshuar e shkundin votën në Fier

Votimet në qendrat e votimit në qarkun e Fierit kanë vazhduar qetësisht deri mesditën e të dielës. Votuesit në qytetin e Fierit, Ballshit dhe Patosit shpresojnë që vota e tyre të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Qytetarët e Fierit shpresojnë më së shumti që vota e tyre të ndikojë në përmirësim të politikave sociale. Ndërkohë, janë të paktë ata që shprehen në mënyrë të drejtëpërdrejtë për ndryshimin ose ata që ndihen mirë me këtë qeverisje.

Disa prej qytetarëve me të cilët BIRN komunikoi në qendrat e votimit në qytetin e Fierit, Ballshit dhe në Patos gjatë të dielës, e cilësojnë shprehjen e vullnetit me anë të votës, si një detyrë qytetare. Shumica e tyre shprehin pakënaqësi për gjendjen në të cilën jetojnë.

“E ndjenim për të votuar”, thotë një i ri që hodhi votëm në kuti paraditen e së dielës në një prej qendrave të votimit që gjendet në ambjentet e gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier.

Një bashkëmoshatar i tij theksoi se votë kishte mbetur e vetmja alternative për të shprehur vullnetin e popullit.

“Është e vetmja alternativë që kemi një herë në katër vjet, të shpalosim qëndrimin tonë,” tha ai. “Besoj se e kuptoni, përfshihen shumë gjëra, ikje masive, shumë e shumë gjëra,” theksoi djali, pasi hodhi votën në kuti.

Qarku i Fierit ka gati 400 mijë votues në listën e zgjedhësve dhe dërgon në Kuvendin e Shqipërisë 16 deputetë, duke qenë qarku i dytë më i madh pas Tiranës. Fieri është një zonë që ka votuar historikisht në shumicë Partinë Socialiste.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste mori 10 nga 16 mandate në qark me 57% të votave, pasi përmirësoi edhe rezultatin që pati marrë më 2013. PDIU arriti të marrë 6 mijë vota dhe zero mandate në qark, por nëse ajo do t’i kalojë këto vota te PD, mandati i dhjetë i socialistëve mund të rrezikohet. PD mori vetëm 4 mandate në Fier në zgjedhjet e kaluara dhe ka kandiduar Nustret Advullën, një biznesmen nga Fieri dhe përfaqësues i PDIU, në vend të pestë. Avdulla, 59 vjeç, ishte kandidati i PDIU më 2017 në Fier ku arriti të marrë 6 mijë votat.

Megjithatë socialistët kanë sërish shanse të mbajnë mandatin e dhjetë edhe nëse PD arrin të marrë të pestin pasi Lëvizja Socialiste për Integrim mori herën e kaluar dy mandate ku i dyti ishte me rezultat shumë të ngushtë. Socialistët e kanë vënë Robert Bitrin, ish-deputet të PS-së në vend të njëmbëdhjetë, menjëherë pas Gramoz Ruçit, i cili është pozicionuar i dhjeti me supozimin se kështu do të mbrohet rezultati i katër viteve më parë dhe rrjedhimisht, maxhoranca e socialistëve.

Në vitin 2009, Partia Socialiste fitoi në Fier 9 mandate me 48% të votave ndërsa demokratët dhe aleatët e tyre morën 6 mandate me 36% të votave. Fieri i dha një mandat LSI-së në atë kohë. Më 2013, PD dhe aleatët e saj humbën një mandat, të cilin e fitoi Lëvizja Socialiste për Integrim ndërsa më 2017, PS mori mandatin e dhjetë, duke i lënë PS-së 4 dhe LSI-së 2.

Edhe të moshuarit shprehen se kanë shkuar të votojnë për interesin dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Veiz Korçari, një burrë në moshë të thyer,   votoi së bashku me bashkëshorten në shkollën Penillopi Pirro në Fier that se po votonte me shpresë për një të ardhme më të mirë.

“I kënaqur nuk jam. Që të them se jam i kënaqur, se të rritësh 2% deri në 5%…,  për unë që marr 100 mijë lekë,” tha Korçari. “Jo, s’jam i kënaqur,” theksoi ai.

Një zonjë, edhe pse për të ecur i nevojitet një patericë ndihmëse, e shoqëruar nga e bija, mbërriti rreth orës 11:30 të së dielës në një prej qendrave të votimit që gjendet në ambjentet e gjimnazit “Dervish Hekali” në qytetin e Ballshit.

“Të jetë perspektiva për të ardhmen e rinisë, për punën, për të gjitha”, tha Xinxife Malaj.

E bija, Mimola Malaj ndryshe shprehu mosbesim dhe pesimizëm.

“Nuk është se pres ndonjë gjë të them të drejtën, nga ato,” tha ajo, duke i referuar kandidatëve në zgjedhje.

“Por, thjesht për të zbatuar detyrën time si qytetare,” shtoi ajo, duke shpjegur motivin e votës.

Thuajse të gjithë të rinjtë e intervistuar në qytetin e Fierit dhe të Ballshit e konsiderojnë detyrë shprehjen e vullnetit të tyre me votë.

Dy vajza dolën rreth orës 10:00 nga një prej qendrave të votimit në shkollën artisitike “Jakov Xoxa” në Fier së bashku me të atin dhe nënën, e cila ndihmohet prej tyre pasi gjendet në një karrocë me rrota për personat me aftësi të kufizuara fizike.

“Duhet të votojmë, se nëse nesër – pasnesër kemi një shqetësim, nuk kemi gojë të flasim pastaj, se nuk kemi votuar dhe nuk kemi bërë detyrën tonë,” tha një prej vajzave.

“Invalidët janë lënë pas dore, rroga minimale është më së keqi, është për të ardhur keq, më e ulëta në Ballkan,” theksoi ajo.

Ka nga ata që shprehen se janë të kënaqur me situatën aktuale apo se duan ndryshim.

“Shqetësime nuk kemi asnji. Votimet i kemi bërë në mënyrë të shkëlqyer, qetësi. Na kanë pritur mirë, mbaruam punë. Jemi shumë të kënaqur,” thotë një i moshuar, pasi votoi në ambjentet e shkollës “Andon Xoxa” në Fier dhe shpjegon se ai nuk ka arsye përse “të qahet”.

Nezrit Shehaj, i cili së bashku me nënën e tij të moshuar votuan në qendrën e votimit që gjendet në shkollën 9-vjeçare “Ismail Klosi” në qytetin e Ballshit, ankohet se këto tetë vjet qeverisje nuk kanë qenë të mira.

“Tetë vjet nuk na ka qeshur buza. Të vdes nesër unë, nuk kam asnjë fëmijë të më varrosi, kush do më varrosi mua, bashkia,” pyet ai.

“Të vijnë fëmijtë në Shqipëri, mos të punojnë jashtë shtetit,” kërkoi Neziri.

Deri mesditën e të dielës në qarkun e Fierit nuk u raportuan incidente gjatë procesit të votimit.

Nezrit Shehaj, i cili së bashku me nënën e tij të moshuar votuan në qendrën e votimit që gjendet në shkollën 9-vjeçare “Ismail Klosi” në qytetin e Ballshit, ankohet se këto tetë vjet qeverisje nuk kanë qenë të mira.

“Tetë vjet nuk na ka qeshur buza. Të vdes nesër unë, nuk kam asnjë fëmijë të më varrosi, kush do më varrosi mua, bashkia,” pyet ai.

“Të vijnë fëmijtë në Shqipëri, mos të punojnë jashtë shtetit,” kërkoi Neziri.

Deri mesditën e të dielës në qarkun e Fierit nuk u raportuan incidente gjatë procesit të votimit./Reporter.al