Foto: Policia e Shtetit

Operacioni “Fokusi” në pranga edhe zyrtarë ushtarakë në Shqipëri, asgjësohen mbi 17 mijë bimë kanabisi

Brenda kësaj javë Policia e Shtetit ka njoftar se kanë angazhuar 6 mijë policë, 75 dronë të cilësisë së lartë për të kontrolluar territorin dhe për të asgjësuar mbijëra bimë të llojit kanabis të mbjella në disa terrene malore.

Si rezultat, Policia e Shtetit ka njoftuar se janë asgjësuar rreth 17000 bimë cannabis sativa dhe 100 kubikë të kultivuar me fara të kësaj bime.

Gjithashtu, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash (në valuta të ndryshme), një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Gjatë kësaj javë nga zhvillimi i këtij aksioni janë arrestuar në flagrancë edhe 12 shtetas ndërsa janë prceduar penalisht 10 të tjerë.

Në Fier, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i kontrollit permanent të territorit, në kuadër të operacionit u arrestuan 3 vëllezër, shtetasit L. K., 45 vjeç, A. K., 51 vjeç dhe A. K., 49 vjeç, dhe u proceduan penalisht babai i tyre dhe djali i njërit prej tyre, shtetasit A. K., 80 vjeç dhe U. K., 18 vjeç.

Sipas policisë, pas banesave kishin kultivuar në tokë, 300 bimë narkotike kanabis sativa. Përveç asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Fierit sekuestroi 1 armë gjahu, 2300 euro dhe rreth 500 000 lekë të rinj që këta shtetas i kishin përfituar nga shitja e drogës.

Në fshatin Zall Herr, Tiranë, në kuadër të operacionit gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.

Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit: G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin; G. Zh., 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie. Ndërsa u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;  I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier; P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak.

Në Selenicë , Vlorë, Shërbimet e Policisë bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat i kontrollit të territorit, arrestuan në flagrancë shtetasin L. K., 29 vjec, banues në Selenicë, pasi gjatë kontrollit të territorit të banesës së tij, Policia gjeti e sekuestroi 80 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Megaoperacioni policor antikanabis “FOKUSI” vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.

“Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, pasi vetëm bashkërisht mund të ndërtojmë një ambient të sigurtë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.