Foto:Topchannel

Vrasja e 41-vjeçarit në Fier, nën hetim 70-vjeçari që e fshehu veturën në garazhin e banesës

Makina tip “Benz” e përdorur nga autorët për vrasjen e Elton Javorit në datën 7 dhjetor në lagjen “16 Prilli” në Fier është gjetur dhe sekuestruar nga policia.

Automjeti tip “Benz”, i përdorur nga A. G. dhe K. G., gjatë vrasjes së 41-vjeçarit u gjet në garazhin e një 70-vjeçari në Dërmënas të Fierit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier referuan materialet në prokurori dhe nisi hetimi për të moshuarin.

Brenda makinës u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gëzhojë arme zjarri, ndërsa në banesën e tij u gjet një fishek arme zjarri, një automjet tjetër tip “Benz” i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.

Gjatë kontrolleve në zonë në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje i moshuari u gjetën dhe u sekuestruan 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Autorët A. G. dhe K. G. vijojnë të jenë në arrati, ndërsa po punohet për kapjen e tyre.

Mbi 70-vjeçarin rëndojnë veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”./TopChannel