Foto: Policia e Shtetit, Ilustrim

Arrestohet 33 vjeçari në Fier, u kap në flagrancë deri sa shiste narkotikë

33 vjeçari K.O., është arrestuar nga Policia e Shtetit nën dyshimin se i njëjti kishte vënë në shitje lëndë narkotike.

Arrestimi i 33 vjeçarit u bë pas hetimeve në kuadër të operacionit “Tempulli” i cili ka për synim goditjen e rasteve të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Policia e Shtetit ka publikuar edhe pamje deri sa shihet 33 vjeçari kur dërgohet në objektet e policisë pas arrestimit dhe materialet që kishte konfiskuar pas arrestimit.

I dyshuari sipas policisë, u zu në flagrancë deri sa bënte shitjen e lëndëve narkotike.

Lloji i lëndës narkotike që dyshohet se shiste i dyshuari është kokainë.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në automjetin e këtij shtetasi, u gjetën 53 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, 72 800 lekë të rinj, 1 250 euro dhe 630 paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Foto: Policia e Shtetit, Fier

Po ashtu sipas njoftimit, policia ka sekuestruar edhe veturën e 33 vjeçarit.

“Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, si dhe i hetimeve të ndjekura proaktivisht, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve”- thuhet në njoftimin e publikuar nga Policia e Shtetit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.