E godet policin me veturë derisa tentonte të ikte, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës ka arrestuar një 22 vjeçar nën dyshimin se i njëjti ka goditur me veturë një zyrtar policor.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme është pranuar një thirrje për një rast të kanosjes të ndodhur në rrugën “Plava” në Prishtinë.

Njësia policore thuhet se ka dal në vendin e ngjarjes ku ka provuar të ndaloj të dyshuarin.

Mirëpo, sipas Policisë, i dyshuari nuk ka respektuar urdhrin policor dhe vrullshëm ka drejtuar veturën e tij për t’i ikur Policisë.

Gjatë këtij veprimi, i dyshuari ka goditur me veturë policin duke i shkaktuar lëndim të rëndë.

“Zyrtarit policor i është ofruar ndihma mjekësore”, ka thënë Policia.

I dyshuari ka arritur të identifikohet nga Policia.

Këta të fundit e kanë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin pak kohë pas ngjarjes në rrugën “Abdulla Bojku” në Prishtinë.

Ndaj të dyshuarit policia ka iniciuar një hetim për veprën penale “Vrasje e Rëndë në Tentativë”.

Për rastin prokurori i shtetit ka vendosur që i dyshuari të dërgohet në mbajtje prej 48 orësh.