Ilustrim

Dyshohet se regjistroi shtetasin nga Turqia, arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj

Policia e Kosovës në Ferizaj ka njoftuar se kanë arrestuar një burrë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas komunikatës së Policisë, i dyshuari sa ishte zyrtar i gjendjes civile dyshohet se kishte regjistruar në sistemin elektronik një qytetar turk, pa i plotësuar kriteret.

“I dyshuari, B. XH., (viti i lindjes 1967, mashkull kosovar), ish zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj, derisa ishte në atë pozitë (deri në vitin 2019 – si ofiqar), ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke regjistruar një shtetas të huaj (shtetas turk) në sistemin elektronik të gjendjes civile, pa i plotësuar kriteret e fitimit të shtetësisë”- thuhet në komunikatën e policisë.

Tutje policia sqaron se shtetasi turk ka arritur që pas regjistrimit të pajiset me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe me pasaportë të Republikës së Kosovës.

Poashtu policia në komunikatë policia njofton se i dyshuari sot më 20.09.2023, është intervistuar në cilësi të të dyshuarit, në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit, me aktvendim të lëshuar nga prokurori, i dyshuari dërgohet në ndalim prej 48 orësh.