Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Dyshohet se piu domestos nga presioni për të paguar paratë e fajdesë

Policia në Mitrovicë ka arrestuar B.D. pasi dyshohet se kishte shtyrë drejt tentim vetëvrasjes një person të cilit po i kërkonte paratë e fajdeve.

Të premten një person është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë pasi dyshohet se kishte konsumuar tretës kimik (domestos) si tentim për të kryer vetëvrasje.

Aktualisht, gjendja mjekësore e viktimës është stabile.

“Dje me datë 06.10.2023, policia në Mitrovicë ishte njoftuar se një person ishte dërguar nga familjaret e tij në emergjencën e Spitalit Rajonal ne Mitrovicë, pasi që dyshohej se kishte konsumuar tretës kimik (domestos). Viktima kishte pranuar tretmanin mjekësor ne emergjencën e spitalit rajonal dhe me pas ishte përcjell në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtejmë ndërsa pas tretmanit mjekësor gjendja e viktimës ishte stabile” – thuhet në njoftim.

Policia kishte arritur të gjejë të dyshuarin pas intervistimit të viktimës dhe dëshmitarëve.

“Janë gjetur dëshmi se viktima kishte marrë para me fajde nga një person dhe nga presioni për të paguar fajde, kishte tentuar të kryejë vetëvrasjen. Gjatë zhvillimit të hetimeve është identifikuar personi i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë vepër” – thuhet tutje në njoftim.

Policia thekson se gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit nuk ka gjetur dëshmi në lidhje me rastin.

“Sot rreth orës 07:00, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin në vendbanimin e tij dhe gjithashtu është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mirëpo nuk ishte gjetur ndonjë dëshmi në lidhje me rastin”- thekson më tej policia.

Pas intervistimit në prezencën e avokatit, i dyshuari B.D., 48 vjeçar me vendim të prokurorit është ndaluar në ndalim policor për 48 orë.

Derisa,  në konsultim me prokurorin e shtetit rasti është cilësuar si “Shtytja në vetëvrasje” dhe “Fajdeja” të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.