Dyshohet se abortoi jashtëligjshëm foshnjen, arrestohen nënë e bijë

Një grua bashkë me nënën e saj janë arrestuar nga policia nën dyshimin për vrasje të foshnjes gjatë lindjes si dhe për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

KALLXO.com mëson nga burime brenda Prokurorisë së Prishtinës se ngjarja e raportuar në orët e para të datës 30.06.2024 fillimisht nisi në shtëpinë e të dyshuarave e më pas të njëjtat përfunduan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). 

Burime të KALLXO.com tregojnë se fillimisht aborti i jashtëligjshëm ka nisur në shtëpi ndërsa dy të dyshuarat nënë e bijë më pas kanë shkuar në institucionin shëndetësor për trajtim mjekësor. 

Në raportin policor 24 orësh, thuhet se vepra penale që është iniciuar për këtë rast është ‘vrasje e foshnjës gjatë lindjes’. 

Ngjarja ka ndodhur në Podujevë deri sa sipas policisë, është raportuar se fillimisht gruaja ka kërkuar trajtim mjekësor pasi dyshohet se ka qenë shtatzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. 

Të dy të dyshuarat nënë e bijë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa njësitet e hetuesisë dhe Prokuroria tashmë po hetojnë rastin për të zbardhur gjithë ngjarjen.