Insulina - Ilustrim RTK

Dyshimet për falsifikim të dokumenteve, Inspektorati urdhëron kompaninë t’i karantinojë insulinat

Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka asistuar inspektorët farmaceutikë të Ministrisë së Shëndetësisë për të kontrolluar biznesin ‘Pharma Leader’.

Kjo pasi që MSH dje ka dorëzuar prova dhe dokumente në polici duke ngritur dyshime se kjo kompani ka dorëzuar dokumente të falsifikuara kur ka aplikuar për tenderin e insulinave.

Pas kontrollit, inspektorët ka urdhëruar kompaninë ‘Pharma Leader’ që të fusë në karantinë tërë sasinë e insulinave deri në një vendim të ardhshëm.

“Kontrolli nga kompetentët është fokusuar në verifikimin e dokumentacionit lidhur me produktin farmaceutik “insulina”, bazuar në informacionet e pranuara se biznesi në fjalë nuk ka pas licencë për import të insulinës dhe rrjedhimisht ka marr pjesë në tenderin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në vitin 2020 për këtë produkt farmaceutik” – njofton Policia.

Tutje, policia thotë se ka mbetur që inspektorët farmaceutikë të zhvillojnë procedura tjera ligjore ndaj biznesit në fjalë sipas kompetencës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zyrtarët e Doganës së Kosovës.

Kjo asistencë, siç thotë Policia e Kosovës ka përfunduar sot rreth orës 19:00.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën në një konferencë për media të mbajtur bashkë me sekretarin Naim Bardiqi, ka thënë se më 12 qershor është njoftuar zyrtarisht se kompania ‘Pharma Leader’ asnjëherë nuk ka pasur leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë.

“As nga prodhuesi amerikan ‘Elilily’ e as nga kompania në Maqedoni që pretendon. E kemi pyetur zyrtarisht kompaninë ‘Pharma Trade’, nga të cilët kemi pranuar përgjigje se dëshmia e ofruar nga kompania kosovare nuk është valide” – ka thënë Vitia para gazetarëve.

Tenderi për insulina është i bllokuar që nga dhjetori i vitit 2020.

Ministria e Shëndetësisë dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kohë që janë duke u ‘ballafaquar’ në lidhje me këtë tender.

Ministria kërkon që ta anulojë në tërësi këtë tender, ndërsa OSHP-ja konsideron se dy kompanitë që kanë aplikuar në këtë tender janë të përgjegjshme dhe rrjedhimisht kërkon nga Ministria që për anulimin e tenderit të repsketojë procedurat e Ligjit të Prokurimit.