Dyshime se disa gra ukrainase u përdhunuan para se të vriteshin

Sot është dita e 62-të e pushtimit rus në Ukrainë – lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi rus mbi Ukrainë filloi më 24 shkurt, kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Ndërkohë, zhvillimet në dhe rreth luftës në Ukrainë janë të shumta dhe të llojllojshme. 

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka pohuar se ekziston një rrezik “real” i një lufte të tretë botërore, në intervista me mediat ruse, megjithëse ai tha se bisedimet e paqes do të vazhdojnë dhe një marrëveshje do të nënshkruhet në ndonjë moment. Ai tha se dërgesat e armatimit perëndimor në Ukrainë nënkuptonin se aleanca e NATO-s është “në thelb e angazhuar në luftë me Rusinë”.

Ekspertët mjeko-ligjorë që po i kryejnë ekzaminimet pas vdekjes mbi trupat në varrezat masive në veri të Kievit thonë se kanë gjetur prova se disa gra janë përdhunuar përpara se të vriteshin nga forcat ruse.

“Ne tashmë kemi disa raste që sugjerojnë se këto gra ishin përdhunuar përpara se të qëlloheshin për vdekje,” tha Vladyslav Perovskyi, eksperti mjeko-ligjor ukrainas i cili me një ekip mjekësh ka kryer dhjetëra autopsi mbi banorët nga Bucha, Irpin dhe Borodianka që kishin vdekur gjatë pushtimit njëmujor të kësaj zone nga Rusia.

“Ne nuk mund të japim më shumë detaje pasi kolegët e mi janë ende duke mbledhur të dhënat dhe ne kemi ende qindra trupa për t’i ekzaminuar,” ka shtuar ai.

Rreth 15,000 trupa ruse janë vrarë që nga fillimi i pushtimit, tha sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben ëallace. Duke folur në parlament të hënën pasdite, ai shtoi se 2,000 automjete të blinduara ishin shkatërruar ose kapur, duke përfshirë 530 tanke. Rusia besohet se ka humbur më shumë se 60 helikopterë dhe avionë luftarakë.

Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë një numër të vogël mjetesh lëshuese raketash Stormer në Ukrainë dhe shuma e përgjithshme e ndihmës ushtarake mund të rritet në 637 milion dollarë. Mbretëria e Bashkuar ka dërguar 5,361 armë të lehta antitank (NLAë) dhe 200 raketa kundër armaturës Javelin dhe do t’i sigurojë 250 raketa anti-ajrore Starstreak.

Pesë stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore dhe perëndimore u goditën nga sulmet ajrore ruse në hapësirën e një ore të hënën. Oleksander Kamyshin, kreu i Hekurudhave të Ukrainës, tha se pesë stacione treni u vunë nën zjarr duke shkaktuar një numër të paspecifikuar viktimash, pasi shumica e Ukrainës u vendos nën një paralajmërim jashtëzakonisht të gjatë për dy orë të hënën në mëngjes.

Rusia duhet të “dobësohet deri në pikën ku nuk mund të bëjë gjëra të tilla si pushtimi i Ukrainës”, tha sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, pasi ai dhe sekretari i shtetit, Antony Blinken, vizituan Kievin dhe premtuan 713 milion dollarë të tjera si ndihmë këtij vendi në përpjekjet e saj të luftës. Blinken tha se Rusia po “dështon” në qëllimet e saj të luftës, ndërkohë që Ukraina po ia del mbanë. Ai shtoi se SHBA kishte vendosur një strategji të “mbështetjes masive për Ukrainën, presionit masiv kundër Rusisë” nga e gjithë NATO.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ka dëbuar 40 staf diplomatik gjerman si një veprim hakmarrës pasi Berlini dëboi të njëjtin numër diplomatësh rusë. Ministria e Jashtme e Rusisë tha se e ka marrë këtë vendim pasi Gjermania i shpalli si “të padëshirueshëm” një “numër të konsiderueshëm” zyrtarësh në ambasadën ruse në Berlin më 4 prill.

Një diplomat i lartë rus është cituar të ketë thënë se një armëpushim në Ukrainë nuk do të ishte “një opsion i mirë” dhe pretendoi se Kievi mund ta përdorë atë për të “inskenuar provokime”. Dmitry Polyanskiy, zëvendës përfaqësuesi i parë i përhershëm i Rusisë në OKB, tha: “Ukraina po minon përpjekjet tona për t’i hapur korridoret humanitare, kështu që ne nuk mendojmë se një armëpushim është një opsion i mirë tani”.

Ministria ukrainase e mbrojtjes tha se bombardimi i një ndërtese qeveritare në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transnistria ishte një “provokim i planifikuar” nga Rusia. “Natyrisht, ky rast është një nga një seri masash provokuese të organizuara nga FSB [shërbimi rus i sigurisë] për të ngjallur panik dhe ndjenja anti-ukrainase”, tha departamenti i inteligjencës së mbrojtjes së ministrisë, sipas CNN.

Suedia dhe Finlanda kanë rënë dakord t’i paraqesin aplikimet e njëkohshme për anëtarësim në aleancën e NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që nga mesi i muajit të ardhshëm, kanë raportuar mediat lokale. Ky lajm u shpërnda nga gazeta finlandeze Iltalehti dhe burime të qeverisë suedeze u duk se e konfirmuan lajmin për mediat vendase.

Një statujë në Kiev, e ngritur për të treguar solidaritetin midis Ukrainës dhe Rusisë, do të hiqet, sipas kryebashkiakut të qytetit. Statuja prej bronzi që tregon dy punëtorë që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit do të çmontohet të martën. Një skulpturë e dytë do të mbulohet. Të dy këto statuja u vendosen në vitin 1982 dhe shtrihen nën Harkun e Miqësisë së Njerëzit pranë lumit Dnieper.

Zyra e prokurorit të gjykatës penale ndërkombëtare (ICC) i është bashkuar një ekipi të mbështetur nga BE që po i hetojnë krimet në Ukrainë në një veprim të paprecedentë. Karim Khan QC njoftoi të hënën se ICC ishte bërë pjesëmarrës në ekipin e përbashkët hetimor (JIT), anëtarët e të cilit janë Lituania, Polonia dhe Ukraina. JIT përfshin bashkëpunimin ndërkombëtar në çështjet penale nën kujdesin e Eurojust, agjencia e BE-së për bashkëpunimin në drejtësinë penale./The Guardian