Komuna e Vushtrrisë

Dyshime për manipulim me vota në Asamblenë e Vushtrrisë

Propozimi i LVV-së për rritjen e shtesave të fëmijëve të porsalindur në 250 euro nga 120 sa janë aktualisht, u përcoll me polemika të shumta në Asamblenë Komunale të Vushtrrisë.

Asamblistë të grupeve opozitare, pretendojnë se në seancën e 25 janarit të këtij viti qëllimisht nuk u numërua vota e njërit prej asamblistëve e cila ishte vendimtare për të kaluar kjo pikë e rendit të ditës.

“Unë votova atë ditë, këtë e argumentova edhe në dalje në foltore, mirëpo IT-ja që merret me kamera, kjo nuk është hera e parë që po e devijon mendimin e asamblistëve”- ka thënë Faton Hyseni, nga AAK.

Momenti i votimit të kësaj pike nuk gjendet as në video-incizimet e komunës.

Për këtë, asamblistët e kuvendit kishin kërkuar të shikonin video-incizimet, ngase sipas tyre vota e 13-të që duhej për të kaluar propozimi, nuk u numërua.

“Njëri nga përfaqësuesit tanë ka shku për verifikim të incizimit dhe nuk ka pasë mundësi me u pa, pikërisht momenti kur ka ndodhë votimi për rritjen e subvencionimit të foshnjeve të porsalindura me 250 euro, por pse u pre pikërisht ai moment i votimit, pse nuk u pre një moment më herët ose më vonë, por pikërisht momenti kritik i votimit u pre nga incizimi”- tha Sylejman Meholli nga LVV.

Sipas asamblistit Faton Hyseni, të cilit pretendohet se nuk iu numërua vota, ky rasti i “devijimeve” të tilla, siç i quan ai, nuk është i vetmi në Asamblenë e Vushtrrisë.

“Unë po ju kallxoj publikisht që nuk është hera e parë që IT-ja i bën këto gjeste, tash me koordinim apo pa koordinim, kjo prapë le të jetë në ndërgjegjen e tyre, mirëpo nuk është në rregull që bash në atë kohë, bash në atë moment u fshi dhe nuk u punua, që të shtynë me dyshu që aty ka pasur keqpërdorim nga IT-ja”- tha Hyseni.

Komuna e Vushtrrisë këtë e ka arsyetuar se rënia e rrjetit në komunë ka bërë që të ndërpritet transmetimi drejtpërdrejtë i seancës së kuvendit, pikërisht në momentin e votimit.

“Gjatë seancës së kaluar ka ndodhur një ndërprerje e rrjetit që ka ndikuar që transmetimi live i seancës të ndërpritet për disa minuta ku me të parë nga zyrtarët e IT-së që është ndërprerë seanca, kanë ndërhyrë dhe menjëherë pastaj ka filluar transmetimi live i seancës së kuvendit”- është shprehur Mirjeta Duraku nga Komuna e Vushtrrisë.

Propozimi i LVV-së për rritjen e subvencionimit për fëmijët e porsalindur nga 120 euro në 250 euro, nuk ka kaluar tash e dy seanca në Kuvendin Komunal.

Ndërkaq, propozimi i kryetari të komunës, Ferit Idrizi në vazhdimin e seancës, që të formohet komisioni për shqyrtimin e këtij propozimi me Drejtorinë e Thesarit, kaloi me shumicë votash në kuvend, përderisa LVV e LDK nuk morën pjesë në votim.

KALLXO.com ka tentuar të marr një sqarim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.