Dy deputetët egjiptianë polemizojnë rreth letrës "propaganduese" kundër Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Gjatë seancës së sotme, Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, pjesë e grupit parlamentar Nisma, tha se dje në Kuvend ka shkuar një letër që ai e quajti “propaganduese” ku iu kërkua të mos votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Për këtë veprim ai e akuzoi kolegun e tij, Elbert Krasniqi i cili është pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Një iniciativë e cila dje ndodhi në Kuvend e që ka të bëjë me shpërndarjen e një letre propaganduese në sallën e Kuvendit. Një letër e cila bën thirrje të mos votohet Ligji për rimëkëmbje ekonomike, nga një organizatë e quajtur ‘Kosint’, e cila e arsyeton se diskriminohen komuniteti rom, ashakli dhe egjiptian”, tha ai.

Berisha shtoi se letra u gjet në Kuvend në mënyrë ilegale.

“Argat i këtij veprimi ilegal u bë deputeti Elbert Krasniqi i cili edhe ndoshta e keqpërdori iniciativën e shëndoshë që mund ta kishte organizata”, tha ai, duke shtuar se për të kjo gjë është “e papranueshme”.

Kurse deputeti nga GP i LVV-së, Elbert Krasniqi i quajti akuzat të pavlera.

“Kuvendi i Kosovës është vend shumë i shenjtë për t’ia ulur vlerën më këso skena të pavlera. Por unë e kuptoj këtë deputetin pazarxhi që ky kauzë këtu nuk ka, pos të merret me mua dhe agjendën time. Më vjen keq që e ka shqetësuar kërkesa që edhe komuniteti egjiptian të përfitojë nga rimëkëmbja ekonomike”, theksoi ai.

Krasniqi tha se është e drejtë që të kërkojnë që të gjitha komunitetet të përfitojnë nga ai ligj, duke thënë se një ligj të tillë e voton edhe vetë ai.

“Ky deputeti me votat e Mitrovicës së Veriut tash flet për komunitetin. Por është e pahijshme për Kuvendin që të ulemi në këtë nivel. Të mos bëhet palaço në Kuvend”, shtoi Krasniqi.

Dje, ende pa filluar seanca e jashtëzakonshme e thirrur për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, është mbyllur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, shkaku i mungesës së kuorumit.