Dua Lipa, Foto: RTV 21

Dua Lipa u bashkohet artistëve që i kërkojnë Joe Bidenit të bëjë thirrje për armëpushim në Gaza e Izrael

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, i është bashkuar thirrjes së artistëve për armëpushim në Gaza dhe në Izrael.

Përmes një letre publike, Lipa e 106 artistë të tjerë botërorë kanë kërkuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, që të bëjë thirrje për një shtensionim të menjëhershëm dhe armëpushim në Gaza dhe Izrael.

“Ne i bëjmë thirrje administratës suaj dhe të gjithë liderëve botërorë, të nderojnë të gjitha jetët në Tokën e Shenjtë dhe të bëjnë thirrje dhe të lehtësojnë një armëpushim pa vonesë – fundin e bombardimeve të Gazës dhe lirimin e sigurt të pengjeve” – thuhet në këtë letër.

Kjo letër, që është publikuar edhe nga Dua Lipa në rrjetin social Instagram, thotë se besojnë që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol jetik diplomatik për t’i dhënë fund këtyre vuajtjeve.

Këta artistë thonë se mbështesin lirinë, drejtësinë, dinjitetin dhe paqen për të gjithë njerëzit dhe një dëshirë të thellë për të ndaluar më shumë gjakderdhje.

“Ne refuzojmë t’u tregojmë brezave të ardhshëm historinë e heshtjes sonë, se ne qëndruam dhe nuk bëmë asgjë.”

Ndër të tjera, në letër thuhet se ata besojnë se të gjitha jetët janë të shenjta, pa marrë parasysh besimin apo përkatësinë etnike dhe e dënojnë vrasjen e civilëve palestinezë dhe izraelitë.

Në këtë vegëz https://www.artists4ceasefire.org/ mund ta gjeni letrën e plotë dhe emrat e artistëve që e kanë nënshkruar.