Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dren Kukaj: Ndërmarrja Publike Banesore rrezikon të futet në proces të arbitrazhit

Aksionari i Ndërmarrjes Publike Banesore, Dren Kukaj, ka thënë se kjo ndërmarrje rrezikon që të futet në një proces të arbitrazhit.

Në një konference për media të mbajtur sot, Kukaj ka thënë se disa dikastere qeveritare janë organizuar për të dëmtuar NPB-në.

Ai njoftoi se sot zyrtarisht NPB-ja ka pranuar një padi nga Avokatura Shtetërore e Ministrisë së Drejtësisë.

Kukaj tha se padia është e bazuar në tri ligje, atë për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, Ligji për menaxhimin e financave publike dhe ai për Avokaturën Shtetërore.

“Jemi habitur nga mungesa e profesionalizmit në këtë padi. Jemi duke e analizuar dhe ndaj kësaj padie dhe masës së sigurisë, jemi duke përgatitur përgjigje”, ka thënë Kukaj.

Sipas Kukajt, Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, e përshjashton vetën nga ndërmarrjet publike dhe ato lokale.

“Ligji ku këta thirren është krejtësisht i pa aplikueshëm”.

Sipas tij, Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), funksionon përmes Ligjit për ndërmarrjet publike dhe Ligjit për shoqëritë tregtare.

Kukaj gjithashtu ka thënë se NPB-ja nuk është një autoritet publik, sipas tij, ashtu si i është referuar padia bazuar në ligjin për financat publike.

“Në dispozitat ku po thirret Avokatura Shtetërore, kinse po e mbron një autoritet publik ja huq me të madhe, sepse një ndërmarrje publike nuk është autoritet publik”, ka thënë tutje Dren Kukaj.

Sipas tij, si ndërmarrjes janë duke u ballafaquar me shumë dikastere qeveritare.

“Jo vetëm ky institucion, por ne jemi ballafaquar me një ndërmarrje të organizuar të shumë dikastereve qeveritare, në raport me këtë projekt. Jemi duke u ballafaquar me një pushtet të nivelit qendror dhe kjo ka qenë e paparashikuar prej anës tonë”.

“Fatkeqësisht NPB-ja përshkak të këtyre veprimeve të orkestruara qeveritare, rrezikon të futet në një proces të arbitrazhit, epilogu i të cilit nuk mund të dihet prej tash”.

Të enjten e 4 nëntorit, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakrishte të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishtë. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtaret e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës