PSD për bastisjen në NPB: Partia në pushtet po e përdor politikisht policinë, i ndalën kamerat

Partia Socialdemokrate (PSD) ka ngritur dyshimet për mënyrën se si është kryer bastisja tri ditë më parë në Ndërmarrjen Publike Banësore, në Prishtinë, lidhur me projektin afër 120 milionësh.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media e ka quajtur anti-ligjor dhe politik procesin e bastisjes së policisë, pasi thotë se për një orë gjatë këtij aksioni janë fikur kamerat e sigurisë në NPB.

Sipas Molliqajt, partia në pushtet ka përdorur organet e drejtësisë për të ndërhyrë në këtë ndërmarrje.

“Krimi fillon kur policia bëhet politike dhe i shkel të gjitha normat dhe dispozitat e kodit penal.  Policia në çfarëdo bastisje ajo i merr mediat me vete sepse pretendohet se do të gjenden shkeljet. Në NPB ka realizu bastisje pa media dhe pa njoftim paraprak. Prej 3 ore që qëndron aty, 55 minuta i fikin kamerat e sigurisë në kundërshtim me dispozitat e kodit penal dhe në dy katet punëtorët qëndrojnë pa praninë e persona përgjegjës. A ka shku policia me e zënë krimin apo me vendos prova?!”, ka thënë ai.

“Ne i bëjmë thirrje që me deklaru se cili është vendimi që i ka leju me i ndalu kamerat, është hera e parë që policia bënë shkelje të tille, dhe s’është shkelje e rastësishme, shkyçja është e vertetume. A ka çu policia bombe, dokumente, drogë apo çfarë ka vendos?!, ky proces nis nga burri i asistentes së kryeministrit. Dy herë e kanë humbë rastin në Gjykatë dhe tani e kanë përdorë politikisht policinë. Ne kërkojmë hetim të menjëhershme të veprimeve policore”, u shpreh Molliqaj.

“Ne nuk kemi asnjë problem me hetimin, le te hetojnë çka të donë, amo shkeljet ligjore, futja në objekte si hajna me urdhër politik nuk do ta lejojmë”, tha tutje ai.

Anëtari i kryesisë së PSD-së njëherësish ish- aksionar në Ndërmarrjen Publike Banesore, Dren Kukaj, ka thënë se projekti afër 120 milionësh është në përputhje me të gjitha dispozitat ligjore.

Madje Kukaj thotë se kjo marrëveshje është “për çdo lëvdatë të mbrojtjes së interesit publik”.

“Ne rastin tonë, ne kemi një marrëveshje nga aspekti i ligjshmërisë është krejtësisht e ligjshme. Ne që e kemi miratuar atë marrëveshje, që nga fillimi kemi qenë të bindur për ligjshmërinë e saj. Mirëpo ka qenë ministria e drejtësisë, përkatësisht avokatura shtetërore që e ka inicuar një padi për anulimin e kësaj marrëveshje. Por dy instancat gjyqësore, e kanë hudhur poshtë pretendimin e ligjshmërisë. Kjo marrëveshje është e ligjshme, nuk ka asnjë element që bjen ndesh me ndonjë dispozitë përkatëse, u shpreh ai.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje “po mirret” vetëm me ndërmarrjen NPB “vetëm se PSD ka qenë aty”. Sepse sipas tij, NPB edhe në bazë të raportit të auditorit qëndron më mirë se ndërmarrjet tjera publike.

“E dyta, permbajtja e saj, gjykuar nga tregu i patundshmërive dhe tregut të ngjajshëm që kanë hyrë pronarët e tokave, zakonshëm për qindja që pronarët e marrin 25-30 për qind në Prishtinë. Mirëpo gjykuar nga hapësira ku ka qenë toka e NPB-së, për qindja qe ne e kemi marrë, krahasur me tokat që kanë qenë përreth, është më e lartë, nuk ka pra elemente të abuzimit. Marrëveshja është për çdo lavdatë të mbrotjkes së interesit publik. Nga kjo pronë, ne i kemi realizuar 37 mijë euro në vit. Nga kjo marrëveshje, të hyrat rritëshin në 3.9 milionë euro në vit. Pasuria e NPB-së nga 80 milionë, i bëhet në 120 milionë euro nga kjo marrëveshje pra ka rritje 40 milionë euro pasuria”, shtoi ai.

Më 1 korrik 2022, KALLXO.com kishte raportuar se njëra nga arkitektet e punësuara në NPB është Dea Durmishi, gruaja e ish-aksionarit të ndërmarrjes, Dren Kukaj.

Policia e Kosovës para dy ditësh ka realizuar një urdhër-kontroll në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Siç thuhet në një njoftim për media të NPB-së, bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore.

Përmes një komunikate për media, NPB-ja ka pretenduar se dokumentet që Policia ka marrë, i janë dorëzuar organeve rreth 5 muaj më herët.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërisht të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.