Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shah, çaj e muhabet: Ilaçi për mërzinë dhe vetminë e të moshuarve të Prishtinës (FOTO)

Të moshuarit në Kosovë janë kategoria shoqërore e cila ka më së paku hapësira dhe mundësi për të kaluar kohën. Por, pak qendra në Prishtinë iu ofrojnë atyre hapësirë për të thyer monotoninë e pleqërisë.

Disa luajnë shah, disa domino e disa me letra nën shoqërinë e çajit.

Të moshuarit në këto qendra harrojnë problemet e pleqërisë kur kalojnë kohë së bashku.

Disa prej tyre vijnë edhe nga zona të largëta, pasi tashmë janë bërë si familje me bashkëmoshtarët me të cilët rrëfejnë halle e gëzime, por edhe nostalgji nga e kaluara e tyre.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qendrat Kulturore Sociale për të moshuar janë të hapura nga ora 08:00 deri në 16:00.

Këto qendra të cilat kanë qenë të mbyllura më shumë se një vit për shkak të gjendjes me pandeminë, gjenden në lagjet “Aktash”, “Tophane”, “Pejton” dhe së fundi një është hapur edhe në “Ulpianë”.

Këto qendra janë të pajisura me kuzhinë, ngrohje dhe mund të hanë një shujtë ushqimore në orën 16:00 dhe të gjitha këto shërbime jepen pa pagesë.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në bashkëbisedim me këta të moshuar, ata u shprehën të kënaqur me kushtet që u ofrohen në këto qendra.

I pensionuari Rizah Shala, banor i lagjes “Aktash”, i cili më herët ka ushtruar profesionin e ekonomistit, këtë qendër e konsideron si të vetmin vend në qytet ku mund të largojë mendjen nga problemet shëndetësore e mërzia si pasojë e mungesës së ndonjë aktiviteti.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai falënderoi komunën për këtë investim, por edhe për transportin pa pagesë që u mundëson të enden gjatë ditës.

“Kushtet në këtë qendër janë shumë të mira, dua ta falënderoj komunën për këto qendra, por edhe për transportin, pasi të dyja i kemi falas”, tha ai.

“Pjesa më e madhe që vijmë këtu jemi njerëz të vetmuar e të mërzitur, pasi nuk kemi me çfarë tjetër të merremi, këtu e largojmë mendjen pak prej monotonisë ditore”, shtoi ai.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shala potencoi se edhe qeveria duhet t’i ketë më shumë parasysh të moshuarit, pasi ndihma nevojitet edhe nga ai nivel, sidomos në sigurim të ilaçeve.

“Unë kam familje, por tërë ditën mbetem vetëm në shtëpi, ky vend është njëfarë shpëtimi për shumë prej neve, duhet edhe qeveria të mendojë më shumë për ne”, shtoi ai.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Derisa, Qerkin Makolli vjen nga lagjja “Medrese” për të kaluar kohë në këtë qendër.

Makolli, i cili ka qenë mësues i ciklit të ulët tha se në këtë qendër vjen të kalojë kohë pasi pensionistëve nuk u ofrohen shumë mundësi apo vende për aktivitete.

“Këtu luajmë shah, më herët kam qenë mësues i ciklit të ulët në shkollë fillore dhe mund ta imagjinosh si është të mbesësh në shtëpi pas shumë vitesh ku punon në mesin e shumë njerëzve”, theksoi ai.

“Unë jetoj me djalin, nusen dhe nipërit e mi, por ditën e kaloj këtu”, tha Makolli.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qendra për të moshuar në lagjen “Topane” është më e madhja nga katër qendrat që janë në kryeqytet, kjo pasi në atë zonë frekuentojnë më shumë persona të moshuar dhe është afër tregut të vjetër të qytetit.

Naman Osmani, një nga të moshuarit në këtë qendër thotë se vjen çdo ditë nga Fushë Kosova për të kaluar ditën këtu.

Ai shtoi se më këtë qendër i kanë të gjitha kushtet, madje edhe mjekët vijnë i kontrollojnë për shtypje të gjakut, kontrolle të zemrës dhe nivelit të yndyrës.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Unë vij këtu çdo ditë nga Fushë Kosova në këtë qendër, janë të gjitha kushtet, kemi çaj, ushqim, ngrohje, televizor e madje edhe mjekët vinë na kontrollojnë”, tha ai.

Osmani theksoi se shpesh organizohen edhe ekskursione të ndryshme ku i dërgojnë nëpër qytete të Kosovës, madje edhe në Shqipëri.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qendra Kulturore dhe Sociale në Tophane ka edhe një dhomë të ndarë për gra, aty vijnë zakonisht gra që punojnë me grep dhe qëndisin materiale të ndryshme.

Pensionistët deklaruan se gratë kanë një hapësirë të ndarë brenda qendrës.

“Këtu vijnë edhe gra, nuk jemi vetëm burra, por nuk dinë të luajnë shah e këso lojërash prandaj edhe nuk përzihen me ne. Gratë kanë një pjesë të ndarë ku kryesisht qëndisin”, u tha nga të moshuarit.

Hapesira e ndare per gra, ne qendren per te moshuar ne lagjen ‘Tophane’, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Brenda qendrës ka edhe televizor, internet, kurse të rinjtë nuk lejohen të futen brenda nga mbikëqyrësit e këtyre qendrave.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurse, qendra në lagjen “Pejton” ka hapësirë më të vogël pasi edhe kërkesat për vizita gjatë ditës nuk i kalojnë kapacitetet që ka.

Qendra Kulturore Sociale per te moshuar ne lagjen ‘Pejton’

Edhe në këtë qendër të moshuarit vijnë kryesisht të shoqërohen e luajnë lojëra mes vete.

Hivzi Krasniqi, një nga të moshuarit që viziton këtë qendër tha se këtu vjen shumë shpesh pasi e ka afër dhe ka mundësi të rrijë me moshatarë të tij, me të cilët flasin për gjëra të ndryshme.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Unë e kam shtëpinë këtu afër dhe vij shpesh pasi më jepet mundësia të rrij me moshatarë të mi, të luajmë lojëra, po edhe flasim për pleqërinë, jetën e fëmijëve e për gëzimin që na japin nipërit e mbesat”, tha ai.

Qendra që së fundi është hapur, ajo në lagjen “Ulpiana”, ka edhe terasën ku të moshuarit mund të dalin në ditët me kohë të mirë.

Qendra Kulturore Sociale per te moshuar ne ‘Ulpiane’

Komuna e Prishtinës viteve të fundit ka hapur katër qendra sociale e kulturore të qëndrimit ditor për të moshuar nëpër lagje të ndryshme të qytetit.

Drejtori i mirëqenies sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, ka bërë të ditur se qendra në “Ulpianë” ka pak ditë që është hapur dhe të moshuarit e zonës ende nuk janë të informuar sa duhet për hapjen e kësaj qendre.

Sipas Kukajt, qendra e pestë do të ndërtohet në hapësirë të jashtme “Open air” si dhe komuna ka në plan të investojë edhe tek pushimorja për të moshuar në Istog.

Komuna e Prishtinës do të investojë rreth 70 mijë euro për renovimin e pushimores për të moshuarit në Istog.

Pushimorja e cila ndodhet në Banjë të Istogut, është pronë e Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, prandaj një investim i tillë, sipas zyrtarëve komunal, është i lejueshëm.

Nga mbikqyrësit e këtyre qendrave u potencua se numri i vogël i grave është problem nëpër të gjitha këto vende.