Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prishtina ndan rreth 70 mijë euro për renovim të pushimores për të moshuarit në Istog

Komuna e Prishtinës ka në plan të investojë rreth 70 mijë euro për renovimin e pushimores për të moshuarit në Istog.

Pushimorja e cila ndodhet në Banjë të Istogut, është pronë e Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, prandaj një investim i tillë, sipas zyrtarëve komunal, është i lejueshëm.

Kështu bëri të ditur për KALLXO.com, Dren Kukaj, drejtor i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës.

“Objekti në fjalë është pronë Shoqatës së Pensionistëve të Prishtinës, ani pse ndodhet në Banjë të Istogut, prandaj edhe sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, lejohet investimi në atë objekt”, ka thënë ai.

Kjo pushimore nuk është në funksion që nga viti 2005, për shkak të kushteve jo të mira.

Kukaj ka thënë se ka pasur vazhdimisht kërkesa nga të moshuarit e Prishtinës që të rinovohet pushimorja.

“Kërkesa ka qenë e vazhdueshme nga të moshuarit e Komunës së Prishtinës, duke qenë së kemi takime të rregullta edhe nëpërmjet Qëndrimeve Ditore për të moshuar, për çka ne e kemi vlerësuar si të dobishëm investimin në këtë pushimore”, shtoi Kukaj.

Ai potencoi se kjo qendër nuk është funksionale dhe pritet të shfrytëzohet sapo të përfundojnë renovimet e nevojshme.

“Aktualisht ajo qendër nuk është funksionale. Porsa të rinovohet dhe ri funksionalizohet, ajo do të vihet në shërbim të të moshuarve nga Komuna e Prishtinës”, shtoi Kukaj.

Edhe Herolind Haskaj, shef i kabinetit të Haki Rugovës, kryetarit të Komunës së Istogut, ka deklaruar se pushimorja është në pronësi të Shoqatës së Pensionistëve me seli në Prishtinë dhe Komuna e Prishtinës e ka parë të arsyeshme t’u ndihmojë.

“Sa i përket kësaj çështje, pushimorja figuron në pronësi të Shoqatës Komunale të Pensionistëve me seli në Prishtinë dhe Komuna e Prishtinës e ka parë të arsyeshme t’u dalë në ndihmë anëtarëve të asaj organizate”, ka thënë Haskaj.

Ai potencoi se Komuna e Istogut është e informuar për këtë investim dhe shprehin gatishmëri për ofrim të ndihmës institucionale, nëse u kërkohet.

“Komuna e Istogut është e informuar për një aktivitet të tillë dhe ne shprehim gatishmërinë tonë që në çfarëdo mënyre edhe mund të kontribuojmë dhe bashkëpunojmë në ofrimin e ndihmës institucionale dhe infrastrukturore, nëse një gjë e tillë kërkohet”, u shpreh Haskaj.

Tenderi për këtë investim është hapur para pak ditësh nga zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës dhe punimet për renovim pritet të nisin gjatë këtij viti.