Drejtori i Spitalit të Gjakovës dërgohet në komision disiplinor pas ndaljes së operacioneve

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, është dërguar në komision disiplinor pasi që kishte marrë vendim që të ndalohej puna në sallat operative për operacionet e planifikuara.

Zyra për Informim e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar e konfirmoi këtë për KALLXO.com.

“Ju konfirmojmë se pas raportit te Grupit Punues të formuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, lënda, perkatësisht drejtori ekzekutiv i Spitalit te Përgjithshëm ne Gjakovë, është proceduar në Komision Disiplinor të ShSKUK-së” – thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Spitali i Gjakovës në fillim të këtij muaji mori një vendim jo fort të zakonshëm. Sallat operative në këtë spital nuk do të punonin për shkak të temperaturave të larta, pushimeve verore të stafit e kushteve jo të mira për punë.

Vendimi hyri në fuqi nga 7 korriku 2023.

Kryesuesi i bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Naim Bardiqi, e kishte cilësuar të pakuptimtë vendimin e Spitalit të Gjakovës për ndërprerjen e punës në sallat operative.

Kjo çështje u diskutua shkurt në mbledhjen e rregullt që ky bord mbajti dje, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Bordi kishte mbajtur mbledhje në Spitalin e Gjakovës një javë para se të merrej vendimi në fjalë.

Spitali i Gjakovës ndaloi punën në sallat e operimeve, reagon ShSKUK

Bardiqi e quan të pakuptimtë vendimin e Spitalit të Gjakovës për ndaljen e punës në sallat operative