Klinika Infektive QKUK - FOTO KALLXO - Mars 2020

Drejtoresha e Infektivës: Ka vende të lira për pacientë me COVID-19 në QKUK

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj- Berisha, ka përgënjeshtruar raportimet se në klinikat e kësaj qendre nuk ka më vende të lira për pacientë me COVID-19.

Ajo tha se sot janë duke u trajtuar 112 pacientë me COVID-19 në Infektivë por pavarësisht numrit të madh të pacientëve ka vende për pacientë të tjerë.

“Ka vende po normal vendet janë të limituara se kemi numër të madh të pacientëve por vende ka sepse sot lirohen pacientët. Ata lirohen të tjerët pranohen”, konfirmoi ajo.

Përveç Infektivës edhe Klnika e Pulmologjisë, ajo e Mjekësisë Sportive dhe Neurologjisë janë duke trajtuar rastet me COVID-19 dhe rastet të cilat janë të dyshuara për coronavirus.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorisë në ShSKUK, Valbon Krasniqi, dje në një intervistë tha se edhe kati tjetër i Neurologjisë do të funksionalizohet për pacientët me COVID-19 në rast se ka rritje të rasteve.

Dje në Kosovë është regjistruar rekordi i zi 276 persona rezultuan pozitiv me SARS-CoV-2, 153 u shëruan dhe tetë persona kanë vdekur brenda 24 orëve.

Rekord i ri me raste pozitive me COVID-19 në Kosovë