Drejt fundit gjyqi ndaj të akuzuarve për shpërthimet te lokalet "Riza Hair Salon” dhe "Missini"

Në Gjykatën e Prishtinës 11 të akuzuar janë ulur për t’i dhënë fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor  lidhur me sulmin me granata dore në dy lokale: “Riza Hair Salon” dhe “Missini”.

Në seancën e datës 28.05.2024 fjalën përfundimtare e kanë dhënë prokurori i Prokurorisë Speciale, Burim Çerkini dhe avokatët e katër të akuzuarve të parë.

Çerkini në fjalën përfundimtare ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë aktakuzës lidhur me këtë rast.

Sipas prokurorit, secili anëtar i këtij grupi i kanë pasur rolet e caktuara për pasojat që janë shkaktuar.

“Secili nga ky grup i ka pasur rolet e ndara, dikush ka pasur me gjujtë me granatë, dikush ka pasë me gjetë naj granatë, dikush me i pagu paret, dikush ka pasë me bo incizimin për “atë që është bërë” “- tha Çerkini.

Në fund prokurori, i kërkoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas dispozitave ligjore me të cilat do të arrihej qëllimi i dënimit.

Tutje fjalën përfundimtare e ka dhënë avokatja Arbenita Aliu, e cila mbron të akuzuarin Lundrim Beqiri.

Sipas avokates, Prokuroria kur i ka ngarkuar me veprën penale – krim i organizuar, ka qenë e detyruar që të ofrojë prova konkrete e jo të bëjë përshkrim se si është kryer vepra.

Sipas Aliut janë të bindur se asnjëra nga elementet e veprës penale – krim i organizuar nuk përmbushet në veprimet e klientit të saj Lundrim Beqiri.

“Në këtë çështje penale besoj se nuk do të lejohet nga trupi gjykues që të shpallet fajtor Lundrim Beqiri, duke u thirrur në një koncept europian që drejtësia udhëhiqet nga një parim i lashtë domethënës e që thotë “më mirë njëqind të fajshëm jashtë se një i pafajshëm brenda”” –  shtoi në fund avokatja e të akuzuarit.

“Unë mendoj se jam sqaruar të gjitha sa më përkasin mua që jam i pafajshëm dhe nuk jam pjesë dhe as udhëheqës i asnjë grupi kriminal’’ – deklaroi i akuzuari Lundrim Beqiri.

Më pas mbrojtjen e kanë dhënë avokati Bedri Avdullahu, mbrojtës i të pandehurit Bekë Salihaj, avokatja Albulena Ukimeraj e cila mbron të pandehurin Adhurim Krasniqi dhe avokatja Merita Bajraktari e cila mbron të pandehurin Valdrin Beqiri.

Ata kërkuan nga Gjykata që për të mbrojturit e tyre të shpallte aktgjykim lirues.

I pandehuri Bekë Salihaj deklaroi se i mbështet fjalët e avokatit të tij, Bedri Avdullahu, dhe se nuk ka çfarë të shtojë më tepër.

“I mbështes në tërësi fjalët e mbrojtësit tim, i kërkoj falje trupit gjykues, gjithë publikut edhe palës së dëmtuar se kemi bërë një dëm, më vjen keq për çka ka ndodhur’’ – deklaroi i akuzuari Adhurim Krasniqi gjatë seancës së sotme.

“Emrin tim nuk e ka përmendur askush, as dëshmitarët, as viktimat, as të dëmtuarit sepse me këtë punë nuk kam të bëj fare’’ – deklaroi i akuzuari Valdrin Beqiri.

Në seancën e radhës, e cila është paraparë të mbahet më 07.06.2024, do të vazhdojë dhënia e fjalës përfundimtare nga të akuzuarit e tjerë.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë Speciale?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, që përfaqësohet nga prokurori Burim Çerkini, në mesin e vitit 2022, të akuzuarit me veprimet e tyre kanë marrë pjesë në veprimtarinë kriminale të grupit për përfitime pasurore të kundërligjshme apo për qëllime të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale.

Sipas aktakuzës i pandehuri Arianit Pllana, më 6 qershor të vitit 2022, ka marrë urdhër-detyrë nga i pandehuri Lundrim Beqiri, i njohur me nofkën “Haveri”, që për qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm t’ia hedhë një granatë dore lokalit të të dëmtuarit “Missini” me qëllim që i njëjti t`i paguajë shumën prej 10 mijë euro, dhe në të njëjtën ditë i është hedhur granata e dorës por që nuk ka pasur pasoja në njerëz por vetëm dëme materiale.

Kurse më 18 qershor të vitit 2022 të pandehurit Fidan Cakolli e Diar Raçi kanë marrë detyrën nga i pandehuri Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri që për motive të ulëta, përfshirë dhënien e dëshmisë në një procedurë penale nga (Riza Bajrami), më datën 19 qershor 2022 të hedhin mjete shpërthyese te lokali i tani të dëmtuarit Riza Bajrami (në këtë rast) i cili është pronar i biznesit “Riza Hair Salon”. Të njëjtit, sipas Prokurorisë, kanë hedhur koktej molotovi.

Më 20 qershor të vitit 2022, sipas Prokurorisë i akuzuari Arianit Pllana kishte marrë përsipër detyrën nga Valdrin Beqiri dhe Adhurim Krasniqi që ta privojnë nga jeta Riza Bajramin, dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore duke siguruar mjetet për ta përfunduar vrasjen më datën 19 qershor të vitit 2022, vrasje e cila ishte parandaluar që të kryhet pas veprimeve të masave të fshehta që kishte bërë Policia.

Aktakuza shpjegon tutje se më 22 qershor të vitit 2022, të pandehurit Fidan Cakolli, Diar Raçi dhe Gentrit Ismajli kanë ndërmarrë veprimin e sulmit të dytë me granatë dore te lokali i njëjtë i të dëmtuarit Riza Bajrami në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Granatën e dorës në sulmin e dytë sipas Prokurorisë e ka hedhur Gentrit Ismajli dhe bashkë më të kishte qenë edhe i akuzuari Diar Raçi. Sipas Prokurorisë dëme në njerëz nuk ka pasur përpos në tri makina.

Ismajli së bashku me Fidan Cakollin dhe Diar Raçin sipas aktakuzës urdhrat i kishin marrë nga i pandehuri Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi dhe Vladrin Beqiri.

Granata e dorës ishte siguruar nga Fidan Canolli përmes të pandehurit Adnan Murtezi.

Roli i Cakollit, sipas Prokurorisë, ka qenë që të vërtetojë se si ka ndodhur sulmi me video-incizim të vendit të ngjarjes. Video e cila do t`i dërgohej të akuzuarit Adhurim Krasniqi.

Ndërsa sipas aktakuzës, roli i Adnan Murtezit ishte që pas komunikimit me të pandehurin Adhurim Krasniqi dhe Valdet Beqiri që pas sigurimit të granatës së dorës për të pandehurit e tjerë do të kryente edhe pagesën për ekzekutorët e sulmit.

Kurse i pandehuri Lundrim Beqiri më 28.06.2023, sipas Prokurorisë, pas dështimit të sulmit të datës 06.06.2022 te lokali “Missini”, përsëri u ka dhënë urdhër personave të tjerë të hidhet përsëri granatë dore te lokali, qëllimi ishte të detyrojnë pronarin të paguajë shumën prej 10 mijë euro.

Sipas aktakuzës, sulmi në lokalin “Missini” ka ndodhur dy herë, më datë 06.06.2022 dhe më 28.06.2022.

Për këto veprime të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar, veprime përgatitore për veprën penale – vrasje e rëndë, dhe – shkaktimi i rrezikimit të përgjithshëm, si dhe detyrim.

Për deklarim të rremë është i akuzuari Arianit Pllana, ashtu që i njëjti më 16.11.2018 në zyret e Prokurorisë së shtetit ka dhënë dëshmi të rreme, në një procedurë tjetër penale.

Bëhet fjalë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanovqit, duke përfshirë të akuzuarin Nedelko Spasojeviq se kinse të njëjtin e ka parë më 15.01.2018 në vendin ku ishte gjetur vetura e djegur “Astra”, e cila dyshohet se ishte përdorur për t`u kryer vepra penale.

Pllana e kishte konfirmuar këtë edhe në procesverbalin e identifikimit të mbajtur nga Policia e Kosovës, edhe se e ka ditur se në të njëjtën datë, 15.01.2018 nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes por i njëjti ka qenë nën masën e paraburgimit në Qendrën e paraburgimit në Pejë.

I njëjti në seancën dëgjimore më 27.05.2022 para trupit gjykues ka pranuar se nuk ka dëshmuar të vërtetën me arsyetimin se ka qenë nën masën e paraburgimit në kohën kur ka dëshmuar për atë rast.

Lundrim Beqiri akuzohet edhe për posedim të narkotikëve.

Më 01.12.2021 Policia e Kosovës e kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e Beqirit pasi i njëjti ishte i akuzuar për vrasje në një rast tjetër.