Dosja e prostitucionit në Malishevë, si shitej vajza për 20-50 euro?

Gjykata e Gjakovës ka shpallur fajtorë D.M. dhe N.B. të akuzuar për mundësim ose detyrim në prostitucion në bashkëkryerje.

D.M. dhe N.B. gjatë muajit korrik të vitit 2020 në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kishin mbajtur pa dëshirën e saj viktimën, L.B. në një hotel.

Të dënuarit ishin pajtuar mes vete që t’i sigurojnë klientë të ndryshëm viktimës me qëllim përfitimi, ku në këmbim të marrëdhënies seksuale me të dëmtuarën, klientët kanë paguar 20 deri në 30 euro.

L.B. dhe D.M. më herët kishin qenë në një lidhje dashurie.

L.B. në dëshminë e saj ka thënë se ka pasur marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm në një hotel pa dëshirën e saj. Në këtë hotel L.B. ka punuar gjatë ditës ndërsa gjatë natës është shfrytëzuar seksualisht.

“Kam pasur marrëdhënie me A., të cilit nuk ja di mbiemrin, E., L., B., është një zeshkan ku fort e urrej atë tip, të gjithë por atë më shumë, .. këta që më kanë keqpërdorur kanë bërë marrëdhënie seksuale nuk e kam bërë me dëshirë, ata e kanë bërë me dëshirë, unë nuk kishte mundësi për tu larguar nga ai hotel, për mos me u shfrytëzu për këto gjëra që kanë ndodhur, nuk kisha telefon, të kisha pasur telefon ja kisha bërë qarën vetes, nuk kam pasur qasje për të dalur nga aty, kam qenë e përcjellë nga D. dhe e vëzhguar, d.m.th., nuk kam guxuar për të dalur”, ka deklaruar viktima.

“Nga dëshmia e të dëmtuarës L.B. në cilësi të dëshmitares u vërtetua fakti se e njëjta ishte punësuar tek hotel “F.” si pastruese dhe kameriere, ndërsa kishte qenë në lidhje dashurie me të akuzuarin D.M. dhe se i njëjti kishte pasur me të të dëmtuarën marrëdhënie seksuale sikurse në hotel “F.”, ashtu edhe në vende të tjera, ndërsa së bashku me të akuzuarin tjetër N.B. kishin negociuar dhe kishin ndërmjetësuar për të sjellë klientë të tjerë, e që sipas të dëmtuarës e njëjta kishte pasur marrëdhënie seksuale me: E.A., A. B., P. Th., A. B. të cilët në këmbim të marrëdhënies seksuale të akuzuarit D. M. i kanë dhënë shumat nga 20 deri në 50 euro”, thuhet në aktgjykim.

Nga deklaratat e dëshmitarëve, Gjykata ka vërtetuar se viktima L.B. ishte ofruar për marrëdhënie seksuale nga të akuzuarit.

“Ndërsa nga deklarata e dëshmitarit M.. T. gjykata vërtetoi faktin se i njëjti kishte dëgjuar përmes shokëve të tij, përkatësisht shoku i tij A. B. kishte kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën L. B. me para në shumën prej … euro dhe se kishte dëgjuar se në hotel “F.” kishte femra që shitën me para, ndërsa nga deklarata e dëshmitarit A. B. u vërtetua fakti se të njëjtit i pandehuri D. M. i cili ishte punëtor i tij i kishte ofruar të dëmtuarën L. B. për kryerjen e marrëdhënieve seksuale dhe në këmbim të saj dëshmitari duhet të paguante nga 20 euro”, vazhdon aktgjykimi.

D.M. është dënuar me nëntë muaj burg ndërsa N.B. me 11 muaj burg.