Dosja e Prokurorisë, ushtari serb i FSK-së u ngacmua pasi i publikuan fotografi me Ramush Haradinajn

Një fotografi e një ushtari të FSK-së së bashku me fotografi të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj ka bërë që ushtari i nacionalitetit serb të pranojë mesazhe fyese e kërcënuese.

Prokuroria e Gjilanit po kërkon paraburgim për të dyshuarin D.P i nacionalitetit serb pasi sipas prokurorisë ka shqetësuar  të  dëmtuarin Z.S, i cili është  toger në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sipas prokurorisë, i dyshuari D.P kishte publikuar fotografi të ish- Komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj në uniformë ushtarake dhe të të dëmtuarit në uniformë dhe me flamuj të FSK-së.

“Pas këtij publikimi  i dëmtuari ka pranuar mesazhe kërcënuese, fyese dhe degraduese për integritetin e tij dhe të familjes se tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Tutje thuhet se i dyshuari këtë postim e kishte larguar nga rrjeti social pas një ore, mirëpo i dëmtuari prapë ka vazhduar që të pranojë mesazhe kërcënuese, ku me këto veprime ka nxitur urrejtje, duke shkaktuar tek i njëjti frikë dhe shqetësim të madh për jetën e tij dhe të familjes.

I dyshuari D.P., me aktvendim të Prokurorit gjendet në ndalim 48 orësh për të vazhduar me procedurat e tjera në Gjykatë.