Dosja e Prokurorisë - Si ndodhi keqtrajtimi i qytetarëve nga zyrtarët policorë?

Ka dështuar të nis gjykimi ndaj 12 policëve dhe një pronari biznesi të akuzuar për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, posedim të narkotikëve dhe marrje ryshfeti e vepra të tjera penale.

Mungesa e Flamur Kekës, Millosh Kovaçeviqit dhe Rexhep Selimit, pamundësoi fillimin e shqyrtimit fillestar ndaj tyre.

Në këtë stad pritej të bëhej leximi i aktakuzës nga ana e Prokurorisë dhe deklarimi i palëve të akuzuara lidhur me këto pretendime.

Për dallim prej tre të lartcekurve prezent në gjykatore ishin të akuzuarit Bedri Januzi, Visar Shala, Marigona Gashi, Donikë Majki, Vedat Fetahu, Valon Bajqinca, Veton Zekaj, Jeton Dauti dhe Leotrim Mshica, i përfshirë në këtë rast  është edhe Ajvaz Humolli i cili është i akuzuar në cilësinë e pronarit të një biznesi.

Në këto rrethana gjykimi u shty në kohë të pa caktuar nga kryetari i trupit Gjykues, Kushtrim Shyti.

Sipas aktakuzës voluminoze së siguruar nga KALLXO.com në këtë rast të akuzuar janë: Bedri Januzi, Visar Shala, Marigona Gashi, Donikë Majki, Vedat Fetahu, Valon Bajqinca, Rexhep Selimi, Millosh Kovaçeviq, Veton Zekaj, Flamur Keka, Jeton Dauti dhe Leotrim Mshica, i përfshirë në këtë rast është edhe Ajvaz Humolli i cili është i akuzuar në cilësinë e pronarit të një biznesi.

Aktakuza 57 faqëshe e Prokurorisë së krimeve të rënda Bedri Januzin dhe Visar Shalën e ngarkon me nga 7 dispozitave (pika) të aktakuzës secilin veç e veç nga gjithsej 16 pika të aktakuzës.

Sipas aktakuzës Januzi nga fillimi i vitit 2019 e deri në fund të 2020 ka poseduar narkotikë të llojit “Mariuanë dhe Kokainë” me qëllim të që të njëjtat t`i shpërndajë tek personat tjerë, sipas prokurorisë këto veprime kanë ndodhur në Prishtinë, në lagjen ‘Emshir’.

Januzi dhe Visar Shala sipas aktakuzës më 27.11.2019 në Matiçan në cilësinë e personave zyrtar, si policë, kanë  kërkuar ryshfet në shumën prej 200 euro, nga dy persona që i kishin në veturën e tyre gjatë transportimit të tyre për në Stacionin Policor të Jugut në Prishtinë pasi Njësia Speciale i kishte ndaluar, e tek njëri prej tyre kishin gjetur një sasi të mariuanës dhe kokainës. Këto para ishin kërkuar me qëllim që mos të përfshihet sasia e kokainës në rastin që do hapej. Januzi 50 euro nga 200 i kishte dhënë me të akuzuarin Shala.

Sipas dosjes së prokurorisë përsëri dy të lartcekurit, në pikën tre të dispozitivit, akuzohen se kanë marrë 100 euro ryshfet nga M. P., me qëllim që mos t`i hapet rast në Polici pasi të njëjtit i ishin gjetur tri qese me mariuanë nga një zyrtar tjetër policor, M.P., e kishte dorëzuar te tashmë të akuzuarit. Të akuzuarit paratë i kishin ndarë mes vete dhe tri qeset e mariuanës i kishin mbajtur, duke deklaruar tek mbikqyrësi i tyre se narkotikun e sekuestruar e kanë shkatërruar.

Pika katër e aktakuzës përshkruan veprimet inkriminuese të Visar Shalës për posedim të narkotikëve ku gjatë bastisjes së shtëpisë së tij në mars të 2021 që ishte bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës, në kasafortën zyrtare ishin gjetur rreth 12 gram marihuanë.

Tutje aktakuza tregon se gjatë një urdhër kontrolli nga Policia e Kosovës në shtëpinë e Bedri Januzit në mars të vitit 2021 me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të arrestit shtëpiak, ishin gjetur 1.4 gram substancë narkotike e llojit mariuanë. Januzi akuzohet edhe për posedim të pa autorizuar të narkotikëve.

Tutje prokuroria Valon Bajqincën dhe Rexhep Selimin i akuzon për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare dhe lëndim të lehtë trupor, ashtu që deri sa e shoqëronin të dëmtuarin F. F. për në stacionin Policor Jugu në Prishtinë, e kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të njëjtit në atë mënyre që i pandehuri Bajqinca e ka goditur me krah në shpind të dëmtuarin më pas e kanë prangosur duke e goditur pastaj në pjesën e brinjëve dhe e kanë tërhequr zvarrë të njëjtin deri tek vetura e tyre.

Sipas dosjes me të hyrë në veturë të akuzuarit e godasin të dëmtuarin me boksa në kokë duke e përgjakur dhe duke e fyer me fjalët “Kom me ta q*** familjen, kom me ta ba ma zi kur të çoj në stacion”. Në stacion policor Bajqinca i bën videoincizim me telefon ku më pas këto video i përcjellë tek kolegëve të vet.

Kurse Valon Bajqina akuzohet se nëntor të vitit 2019 ka keqtrajtuar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ashtu që gjatë drejtimit të komunikacionit në cilësinë e zyrtarit policor tërheq për kapele të xhaketës një këmbësor që ishte duke shfrytëzuar vendkalimin e këmbësorëve, të njëjtin e shtrinë në tokë dhe e lë të qëndrojë aty për një kohë ku më pas edhe e arreston dhe me dhunë e fut në veturën e tij. Në veturë e godet më shuplakë dhe ofendon rëndë të dëmtuarin.

Bajqinca akuzohet në dispozitivin e nëntë për të njëjtën vepër penale.

Dispozitivi dhjetë ngarkon Visar Shalën, Bedri Januzin dhe Veton Zekajn për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim i lehtë trupor. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Millosh Kovaçeviq në pikën njëmbëdhjetë.

Si të akuzuara në këtë rast për keqtrajtim të gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare janë edhe Marigona Gashi e Donikë Majki. Sipas Prokurorisë në dhjetor të vitit 2019 në vendbanimin e të dëmtuarës L. Gj., zyrtarja policore Marigona ia ka lidhur dhe shtrënguar fort durat me pranga duke i shkaktuar dhimbje e më pas e ka goditur me shuplakë të dëmtuarën.

Tutje në dosje theksohet se më pas derisa e dëmtuara ishte duke u dërguar në stacion policor nga dy zyrtaret policore ka kërkuar që t`i liroheshin pak prangat sepse po i shkaktonin dhimbje, e akuzuara Gashi e godet me shuplakë dhe i thotë “As një zë mos ta ndiej se të kuqi dajak”, kurse e akuzuara Majki i drejtohet “Çka po han m… k*** për familjen tënde dhe mbylle gojën”. Keqtrajtimi sipas aktakuzës ka vazhduar edhe në stacionin policor.

Të pandehurit Vedat Fetahu, Flamur Keka, Jeton Dauti dhe Leotrim Mshica po akuzohen me dispozitivin e trembëdhjetë për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Si dhe në pikën pesëmbëdhjetë akuzohen për të njëjtën vepër Bedri Januzi dhe Visar Shala.

Në pikën katërmbëdhjetë akuzohet Visar Shala për falsifikim me dokumente kurse Ajvaz Humolli për ushtrim ndikimi.

Në dispozitivin 16, Shala, Januzi dhe Bajqinca akuzohen për keqpërdorim të informatës zyrtare.