Dosja e Prokurorisë së Gjilanit: Mjeku e ofendoi pacienten 3-vjeçare, familjarët e saj e sulmuan fizikisht mjekun

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar paraburgim për dy personat e dyshuar për lëndim trupor ndaj doktorit në Gjilan. Të njëjtën masë Prokuroria e ka kërkuar ndaj mjekut, i cili po dyshohet për veprën penale – trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se e tërë ngjarja për të cilën janë ndaluar 3 të dyshuarit ka ndodhur brenda 3 orëve dje në Gjilan.

Sipas dosjes, njëri i dyshuar I.Sh. e kishte dërguar vajzën e tij 3-vjeçe për trajtim te mjeku logoped.

Në ordinancën e tij private mjeku I.F. dyshohet se ndaj pacientes 3-vjeçare ka përdorur fjalë ofenduese dhe denigruese.

“I njëjti ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe denigruese, ku ndër të tjera duke bërtitur me tone të larta i ka thënë “ik..ik atje…Ti koke budallicë…ta q…bota nanën”.

Këto janë fjalët që dyshohet se mjeku I.F. i ka përdorur ndaj pacientes.

Për këtë mjeku po dyshohet për veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.

Një audio-incizim nga ky rast është publikuar sot në media online.

Sipas dosjes së Prokurorisë, rreth tri orë pas ngjarjes në ordinancë, babai i 3-vjeçares I.Sh. dhe daja i saj R.V., e kanë gjetur mjekun në një kafeteri në Gjilan dhe e kanë sulmuar fizikisht.

Ata po dyshohen për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.

Mediat kanë publikuar pamje nga sulmi fizik ndaj mjekut.