Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata refuzon kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj pronarit të 'Visametric'

Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që ndaj pronarit të kompanisë “Visametric”, O.S., të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Të njëjtit i është caktuar si masë për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, masa e dorëzanisë.

Masa e dorëzanisë do të jetë në shumë prej 15 mijë euro. Të njëjti gjithashtu i është konfiskuar mjeti i udhëtimit, pasaporta.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro (pesëmbëdhjetë mijë euro) si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta. Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.

Në rast se i pandehuri nuk e zbaton masën e dorëzanisë, ndaj të njëjtit do të zbatohet masa e paraburgimit.

Prokuroria e Prishtinës gjatë ditës së sotme kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për drejtorin e kompanisë “Visametric”, S.O shtetas turk.

Gjatë ditës së djeshme pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i “Visametric”, Prokurorja e Shtetit e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh.

S.O., po dyshohet për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Gjykata Komerciale ia ka ndaluar kompanisë “Visametric” që të detyrojë aplikantët të paguajnë shërbimin postar për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë, kishte njoftuar avokati Flamur Abdullahu.

Kjo shumë është paguar nga të gjithë aplikantët në vlerë prej 30 euro.

Po ashtu, Gjykata përmes vendimit të datës 15 mars ka obliguar këtë kompani që t’ua lejojë qytetarëve që të mund t’i tërheqin pasaportat e tyre edhe fizikisht, në zyrat e tyre, përderisa deri më tani, kjo gjë nuk është mundësuar.

Vendimin e gjykatës, “Visametric” e kishte apeluar. Por shkalla e dytë e gjykatës refuzoi ankesën e kompanisë si dhe rikonfirmoi vendimin e shkallës së parë për ndalimin e detyrimit të aplikantëve që të paguajnë shërbimin postar prej 30 euro, për t’u kthyer pasaportat kur ata aplikojnë për viza në Ambasadën gjermane në Kosovë.

Ndonëse nga kompania kishin deklaruar se do ta respektojnë vendimin, ka pasur raportime nga qytetarët se e njëjta nuk po ndodhte.

“Visametric” është kontraktuesi i vetëm zyrtar i Ambasadës Gjermane në Prishtinë për pranimin e aplikacioneve për viza Schengen nga shtatori i 2022-ës.