Dorëheqja e Isa Mustafës nga kreu i LDK-së, kush në vend të tij?

Dorëheqjet e njoftuara të hënën në LDK, sidomos ajo e kryetarit Isa Mustafa, pas rezultateve më të dobëta në zgjedhje në historinë e saj po shihen si shumë të vonuara nga njohësit e çështjeve politike në vend.

Pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Isa Mustafa njoftoi se tërhiqet nga pozita e kryetarit të partisë, duke njoftuar për mbledhjen e kuvendit ku do të zgjidhet kryetari i ri dhe kryesia e re e partisë.

Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se të hënën kanë dhënë dorëheqje kryetari, nënkryetari, sekretari dhe Kryesia e LDK-së.

LDK nuk ka arritur asnjë fitore në zgjedhjet parlamentare që nga koha kur kryetar i saj u zgjodh Isa Mustafa, në nëntor 2010.

Ndërsa, në zgjedhjet e së dielës, LDK shënoi rezultatin më të dobët në historinë e saj, fitoi rreth 13 për qind të votave.

Për këto mossuksese dhe dështimin e 14 shkurtit sipas analistëve fajtorë janë Isa Mustafa dhe një grup i ngushtë njerëzish brenda partisë, të cilët asnjëherë nuk e kanë kritikuar liderin për vendimet e tij.

Mushkolaj: Isa Mustafa nuk ka dhënë asnjëherë përgjegjësi për dështimet e partisë

Analisti politik, Imer Mushkolaj e ka konsideruar si shumë të vonuar dorëheqjen e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në një prononcim për KALLXO.com, Mushkolaj ka thënë se Mustafa për 10 vite nuk i ka sjellë fitore LDK-së dhe asnjëherë nuk ka dhënë përgjegjësi për dështimet.

“Dorëheqje shumë e vonuar, dorëheqje kur në fakt LDK-në e solli në 13 për qind. Nëse e shohim kronologjinë se çfarë kanë bërë në 10 vitshin e fundit, prej kohës kur Isa Mustafa është kryetar, LDK-ja nuk i ka fituar asnjëherë zgjedhjet dhe ai nuk ka dhënë asnjëherë përgjegjësi, kështu që me logjikën e dhënies së përgjegjësisë së një partie serioze që e ka konsideruar vetën LDK-ja është dashur që kjo të ndodhë shumë më herët”, tha ai.

I pyetur nëse Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri apo Kujtim Shala duhet të marrin udhëheqjen e LDK-së, Mushkolaj ka thënë që drejtimin e partisë duhet ta marrë dikush që arrin pritshmëritë e elektoratit.

“Problemi me njerëzit që po përmenden në LDK është se të gjithë këta emra kanë qenë konformistë, kanë miratuar çfarëdo që z. Mustafa ka vepruar. Ne vazhdimisht edhe tek i ashtuquajturi ‘grup i ri’ nuk kemi parë qasje kritike për veprimet e Isa Mustafës dhe të grupit të tij, për shkak se këtu nuk është përgjegjës vetëm Isa Mustafa por është përgjegjës edhe një grup rreth tij i cili ka mbajtur në dorë frerët e LDK-së dhe ka vendosur gjithçka aty”, tha Mushkolaj.

Analisti politik Imer Mushkolaj tutje për KALLXO.com ka thënë se kryetari i ri i LDK-së duhet të zgjidhet përmes një gare të hapur.

“LDK-ja së pari duhet ta ndërrojë urgjentisht statutin, të hap konkurrencën dhe garën fer brenda partisë, për shkak që kjo po e irriton elektoratin. Vetëm me një garë fer do ta nxirrte një kryetar i cili do të votohej sipas formulës një anëtar një votë. Nuk dua të përmend emra, mirëpo vetëm ai që do të legjitimohej në këtë mënyrë do të ishte një kryetar i duhur për LDK-në në mënyrë që fillojë reformimin e partisë dhe pastaj të shkohet drejt ngritjes së partisë”, tha ai.

Mushkolaj ka folur edhe për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga LDK-ja si dhe ‘reflektimin’ e këtyre veprimeve në vota.

“Rezultati i LDK-së në këto zgjedhje në fakt është rezultat i shumë veprimeve që i ka ndërmarrë grupi i ngushtë i LDK-së ndër vite, sidomos te koalicionet që kanë qenë të kundërta me vullnetin e elektoratit të LDK-së në zgjedhje. Qasja që e ka pasë LDK-ja karshi Vjosa Osmanit iu ka hakmarrë, për shkak që nuk bëhej fjalë për një anëtar të Kryesisë së LDK-së, por bëhej fjalë për një kandidate që partia e nominoi për kryeministre, e cila e nxori LDK-në pas shumë vitesh me mbi 200 mijë vota në elektorat”, theksoi ai.

Nezir Kraki: Abdixhiku, Shala e Haziri më duken si tre Isa Mustafa me moshë më të re

Edhe analisti politik, Nezir Kraki, në një prononcim për KALLXO.com e ka konsideruar si shumë të vonuar dorëheqjen e Isa Mustafës nga pozita e kreut të partisë.

“Është dorëheqje tepër e vonuar. Zoti Mustafa ka kohë që s’e ka arritur asnjë fitore duke qenë lider i LDK-së por asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësi për dështimet. Dhe tash përballë këtij rezultati apokaliptik në zgjedhje, qëndrimi në krye të LDK-së u komprometua. Me fjale tjera, mendoj se është veprim i duhur në kohë jo të duhur ose totalisht i vonuar”, tha ai.

Kraki zyrtarët e LDK-së si Abdixhiku, Haziri e Shala nuk i ka konsideruar si të duhur për pozitën e të parit të partisë.

“Nuk më duken të duhur sepse të njëjtit nuk e kanë shprehur as edhe një kritikë të vetme në drejtim të zotit Mustafa gjithë këto vite dhe me gjithë këto dështime. Filozofikisht dhe politikisht që të tre më duken si tre Isa Mustafa me moshë më të re. Nuk kanë frymë as guxim reformues por konformues”, tha ai.

Ashtu si Mushkolaj, edhe analisti politik, Nezir Kraki ka vlerësuar se largimi i Vjosa Osmanit nga partia e ka dëmtuar shumë LDK-në në këto zgjedhje.

“Largimi apo më saktësisht përjashtimi i zonjës Osmani e ka dëmtuar rëndë LDK-në, përjashtimi i saj ishte përjashtim i votuesve. Kjo u vërtetua në këto zgjedhje ku LDK e humbi më shumë se gjysmën e votuesve të saj edhe pse realisht doli gati e vetme nga partia. Kjo i bie që lidershipi i LDK-së ka kohë që nuk e përfaqëson votuesin e LDK-së”, tha ai.

Kraki ka theksuar se LDK mund të dalë nga kjo katandisje përmes një procesi zgjedhor të brendshëm dhe duke dalë nga logjike e emërimeve nga shefi.

Isa Mustafa ishte zgjedhur kryetar i LDK-së për herë të parë më 7 nëntor të vitit 2010.

Më 2015 Mustafa u rizgjodh kryetar për mandatin e dytë, e në gusht 2019 për mandatin e tretë.