Foto: REL/AFP

Donald Trump është “mizor” dhe “gënjeshtar”, thotë motra e tij

Presidenti amerikan, Donald Trump, është një qenie “mizore”, “gënjeshtar” dhe “pa asnjë parim”, sipas motrës së tij, fjalët e së cilës të incizuara në mënyrë sekrete janë publikuar nga “Washington Post”.

Maryanne Trump Barry ka kritikuar sidomos politikën për migracionin të vëllait të saj president, e cila ka çuar në ndarjen e fëmijëve nga prindërit në kufi dhe dërgimin e tyre në qendra të mbajtjes, raporton “Le Figaro”.

“Gjithçka që ai do është t’i pëlqejë bazës së tij (elektorale)”, citohet të ketë thënë motra e presidentit sipas incizimeve që i ka siguruar gazeta amerikane.

“Ai nuk e ka asnjë parim. Asnjë“, ka shtuar ajo.

Incizimi është vepër e mbesës së presidentit, Mary Trump, e cila kohëve të fundit ka publikuar një libër, në të cilin denoncon “familjen toksike” nga e cila rrjedh vetë ajo.

Robert Trump, vëllai i vogël i presidentit, i cili ka vdekur javën e kaluar, ishte përpjekur më kot përmes drejtësisë ta pengonte daljen e librit.

Rreth 950.000 ekzemplarë janë shitur që në ditën e parë të publikimit.