(DOKUMENT) Vendimi që shpalli Prizrenin zonë karantinë dhe fshatin Skorobishtë vatër e infeksionit

16 raste të reja me coronavirus janë konfirmuar mbrëmë nga Komuna e Prizrenit, 10 raste janë banorë në qytetin e Prizrenit ndërsa 6 nga fshati Skorobishtë.

Të gjitha këto raste kanë rrjedhur nga kontaktet e rasteve të mëparshme në komunën e Prizrenit.

Tani numri total i rasteve aktive me COVID-19 në Prizren është 19.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se Prizreni do të shpallet zonë karantinë.

“Menjëherë pas pranimit të raportit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u dakorduam me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që Prizrenin ta shpallim zonë karantinë”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, Komuna e Prizrenit shpallet zonë karantinë, pasi që banorët e kësaj komune dyshohen që kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me personat e infektuar me COVID-19.

Ndërsa fshati Skorobisht në Komunën e Prizrenit shpallet Vatër e përhapje së Infeksionit.

Sipas këtij vendimi që ka datën 12 Prill, ky vendim hyn në fuqi menjëherë ditën e nënshkrimit, pra që nga mbrëmë ndalohen hyrje dhe daljet në Komunën e Prizrenit.

Kur kanë kaluar 30 ditë që kur është shfaqur rasti i parë me Coronavirus në Kosovë deri më sot numri gjithsej i të prekurve me COVID-19 është 362. Ndërsa 50 persona janë shëruar, por kanë humbur jetën 9 persona.

 

COVID-19: Numër rekord i rasteve pozitive, vetëm sot 79 raste