Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Doktori flet për gjendjen e fëmijëve që po trajtohen në QKUK pas lëndimeve nga mjetet piroteknike

Tre fëmijë po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor në Klinikën e Kirurgjisë Plastike pas lëndimeve që kanë marrë nga mjetet piroteknike gjatë natës së ndërrimit të viteve në Kosovë.

Të njëjtit janë nën moshën 10-vjeçare.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, doktori i Kirurgjisë Plastike, Agim Berisha, i cili tha se fëmijët kanë pësuar lëndime në pjesën e duarve.

Ai tha se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Gjendja e përgjithshme e fëmijëve është e mirë. Lëndimet i kanë në gishta, shuplakë të duarve. Janë tri raste nën moshën 10 vjeçare. Dy janë pranuar natën e viti të ri, një rast ka qenë një ditë më herët. Janë duke u trajtuar. Kanë pasë ndërhyrje kirurgjike, tash ju duhet hala me u trajtua” – ka thënë ai.

Berisha tutje tha se invaliditeti prej lëndimeve nga mjetet piroteknike është i lartë.

Ndërsa, ka thënë se këtë vit në Klinikën e Kirurgjisë janë pranuar më pak raste sesa në vitet paraprake.

“Invaliditeti prej lëndimeve nga këto mjete është i gjatë andaj duhet me pasë kujdes. Më pak se vitet e kaluara kemi pranuar raste. Vetëdija është më në rregull e qytetarëve por ende në nivelin e duhur nuk është. Nuk është pak tre fëmijë të lëndohen nga këto mjete për një natë” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Nga festimet në natën e Vitit të Ri, sipas Policisë së Kosovës nuk ka pasur asnjë rast tragjik, përveç disa incidente me lëndime trupore dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm i mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.

Qytetarët kanë dërguar në KALLXO.com edhe fotografi të gëzhojave të plumbave të cilët kanë dëmtuar dritare e vetura.

Policia e Kosovës për disa ditë me radhë ka bërë thirrje që për natën e ndërrimit të motmoteve të mos përdoren armë.