Dita e Muzikës: Ministria e Kulturës i ndan Vinçenc Gjinit Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore

Kompozitorit  Vinçenc Gjini i është ndarë sot Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” për nder të Ditës Botërore të Muzikës njofton MKRS.

“Fillimisht dua t’i uroj të gjithë muzikantët, artistët e profesionistët muzikorë, kompozitorët dhe tërë muzikdashësit për Ditën Botërore të Muzikës”, ka uruar ministrja Vlora Dumoshi.

Sipas njoftimit, ministrja Dumoshi i ka ndarë të këtë çmim kompozitorit për motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmë shekullor në fushën e muzikës.

Ndërsa, çmimet tjera iu ndanë: Valton Beqirit për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike për veprën “Rrugëtimi”, si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar; për vepër orkestrale-simfonike dhe koncentrale, kompozitorit Kreshnik Aliçkaj për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës; për vepër kamertale, kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale;  për vepër korale i jepet kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas”  për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit dhe për veprat solistike dhe duo kompozitorit Mehdi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.

Sipas Ministrisë të gjitha çmimet do të shpërblehen me shuma financiare sipas rregullores për çmimet për muzikë.

Për shkak të pandemisë nuk ka pasur organizim për manifestimin e kësaj dite, por në një datë të përshtatshme  parashihet që të organizohet edhe një ceremoni solemne për ndarjen e këtyre çmimeve.

Juria profesionale e cila ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e veprave muzikore të paraqitura në konkurrim ka qenë në përbërje të kompozitorit Prof. Dr. Vasil S. Tol,  kryetar, kompozitorit Rafet Rudit dhe kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari.