Disa serbë tentojnë të votojnë përmes postës, Policia nuk i lejon të kalojnë urën

Disa qytetarë serbë sot kanë tentuar që të votojnë përmes postës për referendumin që po mbahet në Serbi.

Siç mëson KALLXO.com, rreth 15 persona si grup janë kthyer mbrapa te Ura e Ibrit pas një kërkesë që u kishin bërë zyrtarët policor.

Të njëjtit ishin arsyetuar se donin që të shkonin në pjesën e Jugut në Mitrovicë për të votuar me postë, për referendumin.

Të njëjtit sipas burimeve të KALLXO.com, nuk janë lejuar dhe janë kthyer pas.

Ndërsa, dhjetëra qytetar në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar drejt Rashkës, për të votuar për referendumin në drejtësi, i cili po mbahet sot në Serbi.

Ky referendum u votua që të mos zhvillohej në Kosovë. Votimi në kuvendin e Kosovës ndodhi gjatë ditës së djeshme.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka qëndruar në veri të Kosovës.

Mëngjesin e sotëm fillimisht u protestuar nga qytetarët serbë për mos lejimin e votimit të referendumit në zonat e veriut, ndërsa Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë sot se nëse Kosova nuk lejon që më 3 prill të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë atëherë do të vendoset reciprocitet.

Rakiq i tha këto deklarata gjatë një proteste të organizuar në Mitrovicë të Veriut kundër ndalimit të mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Ai nuk tregoi se çfarë masa mund të marrin komunat veriore, por sipas tij ‘do të jenë serioze’.

Sot, në Serbi po mbahet referendum në të cilën qytetarët e saj do të votojnë për ndryshime Kushtetuese. Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.