Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Referendumi i Serbisë, Kuvendi tenton harmonizimin e rezolutës së Qeverisë me propozimet e LDK-së

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë 10-mitueshe, në përpjekje për të harmonizuar projekt-rezolutën e Qeverisë së Kosovës me propozimet e  LDK-së, në lidhje me kundërshtimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë këtë të diel.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi lexoi propozimet e partisë së tij për projekt-rezolutën.

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë të gjitha obligimet kushtetuese dhe ligjore me interes të ruajtjes së rendit kushtetues dhe rendit juridik në vend, këtë pikë e konsiderojmë që është ezauruar në pikën 2 të propozuar nga Qeveria”, tha ai.

Gashi shtoi se pika e cila sipas tyre ka mbetur e pambuluar është “Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të përdorë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të jetë në koordinim me partnerët strategjik të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetueshmërisë dhe sovranitetit shtetëror”.

Ai tha se kërkojnë që në projekt-rezolutë të shtohet edhe një pikë dhe bashkërisht ta votojnë.

“ Pra pikat tjera ne i tërheqim, mbetet vetëm kjo pikë të cilën ne propozojmë që t’i shtohet projekt-rezolutës së  propozuar nga zonja Kusari”, tha Gashi.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesave që të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë të dielën, në komunat me shumicë serbe.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se serbët lokal të Kosovës mund të jenë pjesë e referendumit të Serbisë duke votuar përmes Zyrës ndërlidhëse ose postës.