Uji

Disa lagje në Prizren që nga dje pa ujë të pijshëm, Ujësjellësi tregon se kur pritet të rikthehet furnizimi

Që nga dje shumë lagje të Komunës së Prizrenit kanë mbetur pa ujë furnizim me ujë të pijshëm.

Lagjja Bazhdarhane, Kurilla, Lagjja Dardania pjesa e sipërme dhe një pjesë e Lagjes Tusuz që nga dje kanë pasur mungesë të ujit të pijshëm.

Zëdhënësja e kompanisë së ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, Nderona Kurtaj ka thënë për KALLXO.com se deri te kjo ndërprerje ka ardhur si pasojë e një defekti elektrik dhe ndalimi i punës së pompave të ujit.

“Dje ka ndodhur një prishje e kabllos elektrike të tensionit të lartë dhe pompar Bunari 1 dhe Bunari 2 kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike”, ka thënë zëdhënësja Kurtaj.

E njëjta ka sqaruar se ekipet e kompanisë KEDS dhe të ujësjellësit kanë punuar pa ndërprerë që nga dita e djeshme, dhe sot kanë arritur ta sanojnë problemin.

Ajo më tej ka thënë se në teren ekipet e ujësjellësit janë duke verifikuar dhe testuar gjendjen dhe deri në mbrëmje pritet që të rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm.